Japonia marrëveshje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar

04/12/2020 11:18
Ministri i Punëve të Jashtme i Japonisë, Toshimitsu Motegi

Parlamenti i Japonisë ka miratuar një marrëveshje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar që do të hyjë në fuqi më 1 janar.

Mbretëria e Bashkuar në muajin tetor nënshkroi marrëveshjen e saj të parë të Partneritetit Ekonomik Gjithëpërfshirës pas Brexit-it me Japoninë, pasi të dy palët arritën një marrëveshje në muajin shtator.

Siç raportoi agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut, Yonhap, marrëveshja do të “sigurojë vazhdimësinë e operacioneve dypalëshe të biznesit përtej fundit të tranzicionit të Londrës jashtë Bashkimit Evropian (BE) këtë muaj”, sipas Anadolu Agency.

Ministri i Punëve të Jashtme i Japonisë, Toshimitsu Motegi dhe sekretarja britanike e tregtisë ndërkombëtare, Luz Truss, nënshkruan një marrëveshje në Tokio.

Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka ratifikuar marrëveshjen.

Sipas raportit, kompanitë japoneze që operojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Evropë ende “dyshojnë nëse Londra do të arrijë një marrëveshje të tregtisë së lirë me bllokun deri në fund të periudhës së tranzicionit”.

“Pa një marrëvshje të tillë, bizneset evropiane të prodhuesve japonezë, përfshirë Nissan Motor Co. dhe Toyota Motor Corp., të cilat përfitojnë nga zinxhirët e furnizimit të ndërtuara në të gjithë kontinentin dhe Britaninë, mund të prishen. Të dy prodhuesit e automjeteve sigurojnë pjesë nga Evropa kontinentale dhe mbledhin automjete në Britani”, thuhet në raport.

Megjithatë, sipas marrëveshjes së re, tarifat për makinat japoneze do të shkojnë në zero në faza deri në vitin 2026, e ngjashme me marrëveshjen ekzistuese Japoni-BE. Mbretëria e Bashkuar po ashtu pritet të “heqë menjëherë tarifat për makinat hekurudhore dhe pjesët e automjeteve”.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se marrëveshja do të rrisë tregtinë me Japoninë me 15,2 miliardë paundë (20,4 miliardë dollarë) gjatë 15 viteve të ardhshme dhe gjatë të njëjtës periudhë do të rrisë prodhimin bruto të brendshëm të Mbretërisë së Bashkuar me rreth 0,07 për qind.

Marrëveshja do të thotë se 99 për qind e eksporteve britanike në Japoni do të jenë pa tarifa. Qeveria po ashtu tha se Mbretëria e Bashkuar do të ketë qasje më të lirë në mallrat japoneze me cilësi të lartë.

Top Channel