Greqia shtyn izolimin deri në 14 dhjetor/ Hapja graduale e aktivitetit ekonomik ende larg. E mbyllur mbetet edhe Kapshtica

04/12/2020 00:31

Qeveria greke e ka shtyrë edhe me një javë tjetër deri në 14 dhjetor mbylljen e përgjithshme të vendit që ka nisur prej fillimit të nëntorit, për përballimin e valës së dytë të pandemisë.

Sipas zëdhënësit të qeverisë ngarkesa e madhe virale nuk lejon hapjen e aktiviteteve ekonomike , megjithëse vërehet një stabilizim i rasteve, rreth 2000 në ditë, por me një ritëm më të ngadaltë se sa pritej. Gjithashtu sipas tij megjithëse në të gjithë vendin, ka më shumë dalje nga spitali sesa hyrje, shumë spitale në Greqinë veriore, sidomos në Selanik janë nën presion nga pacientët e shumtë.

‘Me këto të dhëna, bëhet e qartë se hapja graduale e aktivitetit ekonomik dhe shoqëror është ende larg. Për këtë arsye, për momentin, masat kufizuese ekzistuese për mbrojtjen kundër koronavirusit shtyhen deri të hënën, 14 dhjetor 2020, në orën 6 të mëngjesit’- tha Steliso Petsas, zëdhënës i qeverisë.

Gjithashtu është sqaruar se do të mbeten në fuqi të gjitha masat ekzistuese deri tani, midis tyre edhe mbyllja e doganës së Kapshticës, të paktën deri në një urdhër të ri, ndërsa do të hapen prej të hënës vetëm bizneset e vogla me artikujt e Krishtlindjeve.

Greqia ka regjistruar përsëri gjatë 24 orëve të fundit 100 viktima nga koronavirusi, në total 2706, ndërsa me gati 1900 rastet e të prekurve të sotëm, numri i të infektuarve prej fillimit të pandemisë ka shkuar në mbi 111500. Është rritur përsëri numri i të intubuarve në 622 pacientë.
Kryeministri Mitsotakis që ka inaguaruar një ashensor për personat me aftësi ndryshe në shkëmbin e Akropolit, ka njoftuar se do të dalë ditën e hënë në një mesazh të ri televiziv sa u përket masave kundër pandemisë.

Top Channel