Trajneri i Tiranës Nevil Dede u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e të tijve në përfundim të derbit të kryeqytetit, teksa në intervistën e dhënë për “Gol pas Goli” në Supersport, deklaroi se skuadra vijon të rritet.

Jeni i kënaqur me paraqitjen dhe rezultatin e derbit?
Jam shumë i kënaqur dhe e kam thënë edhe herët e tjera, që skuadra po rritet nga java në javë. Ishte një ndeshje e vështirë, pasi kundërshtari ka kohë që punon bashkë dhe njohin mirë njëri-tjetrin, ndërsa ne vuajmë mungesat, pasi edhe Torrasa nuk ishte në maksimum, sepse vinte nga një mungesë e gjatë.

Skema ishte një lloj mase për të ndalur Partizanin?
Duke parë edhe lojtarët që kishim në dispozicion, mendova se me këtë rreshtim mund të bënim më mirë dhe në këndvështrimin tim kontrolluam lojën e ishim më të qartë në fushë.

Mendoni se Muçi u ndihmua sa duhet për të shënuar?
Unë mendoj se të gjithë bënë mirë në tërësi, por në momente të caktuara sigurisht që mund të kishim bërë më mirë dhe mund të vertikalizonim më mirë e më saktë, megjithatë ka vend për përmirësim.

Patët edhe një pretendim për penallti në minutat e fundit…
Nuk dua të flas për arbitrin, pasi e pashë që u mundua të drejtojë në mënyrë korrekte. Pamjet e konfirmojnë që ishte penallti, por më vjen keq që arbitri mendoi ndryshe, megjithatë edhe ata janë njerëz dhe siç gabojnë lojtarët, mund të gabojnë edhe gjyqtarët. Nuk dua të bëj polemika për këtë.

A mendoni se një fitore në derbi mund të ishte një pikënisje e mirë për Tiranën?
Më vjen keq vetëm për djemtë, që dhanë maksimumin dhe ishin gjithë kohës në ekuilibër. Do të ishte mirë që të fitonim, por nuk ia dolëm, megjithatë diferencat në kampionat janë shumë të vogla dhe duhet të analizojmë me vëmendje edhe detajet më të vogla.

Top Channel