Suedi/ Mbajti të ngujuar të birin për 30 vite, arrestohet 70-vjeçarja

03/12/2020 20:53

Një grua 70-vjeçe është arrestuar në Suedi, pasi dyshohet se ka mbajtur të ngujuar në shtëpi të birin për më shumë se tri dekada.

Burri në të 40-at është gjetur në apartament nga një familjar, ku raportohet se ishte në gjendje të renduar shëndetësore. Sipas gjyqtares së çështjes, Emma Olsson, i riu është mbajtur i ngujuar në shtëpi për afro 30 vite. Personi që e ka gjetur burrin ka raportuar se ai ishte i shtrirë në një batanije në dysheme dhe ishte veshur me rroba tepër të vjetra.

“Ai tani është në spital, e di se ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale”, ka shtuar gjykatësja Olsson, e cila nuk ka dhënë detaje tjera për gjendjen e tij shëndetësore.

E përditshmja suedeze Expressen, shkruan se djali i të moshuarës ishte nxjerr nga shkolla në moshën 12-vjeçare dhe prej asaj kohe nuk është ditur pothuajse asgjë për të.

Top Channel