Prokurori i Përgjithshëm William Barr i ka dhënë mbrojtje shtesë prokurorit që ai caktoi për të hetuar se si nisën hetimet mbi bashkëpunimin e dyshuar të fshehtë mes zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë. Ai i ka dhënë atij autoritetin e një prokurori të posaçëm me qëllimin për të përfunduar punën, pa u pushuar lehtë nga detyra.
Zoti Barr i tha të martën agjencisë së lajmeve Associated Press se ai e kishte emëruar zotin John Durham si Prokuror të Posaçëm në tetor, nën të njëjtën rregullore federale që udhëhoqi punën e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller në hetimin origjinal ndaj Rusisë. Ai tha se hetimi i zotit Durham është ngushtuar duke u përqëndruar më shumë në sjelljen e agjentëve të FBI-së, të cilët kanë punuar rreth të ashtuqujturit hetim ndaj Rusisë, të njohur si “Crossfire Hurricane”.
Sipas rregulloreve federale, një prokuror i posaçëm mund të pushohet nga puna vetëm nga Prokurori i Përgjithshëm dhe për arsye specifike të tilla si sjellje të jashtëligjshme, braktisje e detyrës ose konflikt interesi. Prokurori i Përgjithshëm duhet t’i dokumentojë arsyet për shkarkim me shkrim. Hetimet u nxitën nga akuzat për bashkëpunim mes zyrtarëve të fushatës presidenciale të Donald Trump-t në vitin 2016 dhe rusëve me qëllimin për ta ndihmuar atë që të fitonte garën ndaj demokrates Hillary Clinton.
“Vendosa që gjëja më e mirë për të bërë do të ishte emërimi i tyre (ekipit të prokurorëve) nën të njëjtën rregullore që mbulonte Bob Mueller-in, për t’i ofruar Durham-it dhe ekipit të tij garanci se ata do të ishin në gjendje të përfundonin punën, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve”, tha zoti Barr të martën.
Ekipi i tranzicionit i zotit Biden nuk ka komentuar mbi këtë çështje. Hetimi penal, fillimisht kishte një objekt shumë më të gjerë, por që atëherë ai është “ngushtuar ndjeshëm” dhe aktualisht “është përqendruar në aktivitetet e hetimit brenda FBI-së” tha zoti Barr. Ai tha se priste që zoti Durham të detajonte nëse do të do të kishte ndonjë padi penale shtesë dhe të bënte publike një raport mbi gjetjet e hetimit.
Në një urdhër të 19 tetorit, të siguruar nga Associated Press, zoti Barr shkruan se zoti Durham është i autorizuar “të hetojë nëse ndonjë zyrtar federal, punonjës, apo çdo person a organizatë ka shkelur ligjin në lidhje me informacionet e zbulimit, kundër-zbulimit apo aktivitetet e strukturave të zbatimit të ligjit” në raport me fushatën presidenciale 2016 të zotit Trump.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë i tha AP-së se hetimi i zotit Durham nuk është zgjeruar. Zyrtari tha se ai lidhet posaçërisht me personelin e FBI-së që ka punuar gjatë hetimeve mbi Rusisë para emërimit të zotit Mueller në maj 2017, një zonë kritike e shqyrtimit si për zotin Durham ashtu edhe për Inspektorin e Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, i cili identifikon një seri gabimesh apo ato që janë anashkaluar në procesin e mbikëqyrjes që synonte një ish-bashkëpunëtor të fushatës së zotit Trump.
Përqëndrimi tek FBI-ja, në vend të CIA-s dhe komunitetit të zbulimit çon në përfundimin se zoti Durham mund të ketë mbyllur disa nga pretendimet më te ashpra që mbështetësit e zotit Trump kishin shpresuar se do të prodhonin akuza për shkelje të ligjit, apo shkelje penale, konkretisht mbi pyetjen se si agjencitë e zbulimit arritën në përfundimin se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016./VOA
Top Channel