Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, për të respektuar masat kundër përhapjes së koronavirusi.
Apeli i IKSHPK-së vjen pasi të enjten në Kosovë u regjistruan 22 vdekje nga sëmundja COVID-19, dhe 627 të infektuar me koronavirus. Këto shifra, sipas IKSHPK-së, janë sinjal se spitalet mund të mbingarkohen.
“Pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale. Asnjë vend në botë nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturë spitalore të përballojë shtimin e rasteve për shkak të papërgjegjësisë në mos zbatimin e rekomandimeve tashmë të vetme në mbarë botën: maska, distanca, higjiena”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.
Para rreth 3 javësh, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e lirë në disa komuna nga ora 19:00 e deri në 05:00 të mëngjesit.
Por, sipas IKSHPK-së, edhe perkundër masave dhe rekomandimeve vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë.
“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar”, thotë IKSHPK.
Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 41.299 raste të të infektuarve me koronavirus, prej të cilëve 1.062 kanë vdekur ndërsa 26.453 janë shëruar.
Top Channel