Kursi që po ndjek Gjermania kundër pandemisë së koronavirusit me ndalimin e rreptë të kontakteve si dhe me mbylljen e institucioneve kulturore dhe argëtuese do të vazhdojë deri më 10 janar.

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve vendosën, që të shtyhen masat kufizuese për popullsinë për shkak të pandemisë. Këtë e komunikoi kancelarja pas konsultimeve që zgjatën pesë orë me kryeministrat e landeve (02.11). Në konferencën e shtypit Merkel deklaroi, se „Parimisht gjendja mbetet siç është tani”. Më 4 janar kryeministrat e landeve do të konsultohen sërish me kancelaren, për të gjykuar mbi hapat e mëtejshëm. Kufizimet e pjesëshme në fuqi që nga nëntori u shtynë javën e kaluar deri për më 20 dhjetor. Qëllimi i këtyre masave është, që të ulet indikatori i 7 ditëve të infeksioneve të reja nën 50 për 100.000 banorë, theksoi kancelarja. „Në përgjithësi jemi ende larg kësaj norme”, tha ajo. Ndërkohë ka „një numër të lartë vdekjesh – çdo ditë”.

Gjendja është e „papranueshme”

Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha: „Ne nuk mund ta pranojmë kështu këtë situatë”. „Eshtë e rëndësishme dhe e drejtë, që t‘i shtyjmë deri më 10 janar masat me kufizime të pjesshme”. Söder madje sinjalizoi mundësinë për kufizime edhe më të forta. Në varësi nga zhvillimi i pandemisë duhet të shqyrtohet, nëse në vende të caktuara „duhet vepruar qartazi dhe me konsekuencë edhe më në detaje”. Ndër masat kufizuese janë ndalimi i kontakteve, mbyllja e lokaleve, e institucioneve kulturore dhe sportive si dhe kufizimi i udhëtimeve.

Përgatitje intensive për vaksinën

Federata dhe landet duan të përgatiten për fillimin e shpejtë të vaksinave ndaj koronavirusit. Licencimet e para të vaksinave në BE mund të fillojnë në fund të dhjetorit, tha Merkel. Ndaj është e rëndësishme, që përgatitjet të vazhdojnë në shkallë të gjerë. Në lande po bëhen pëpjekje të mëdha për krijimin e qendrave përkatëse të vaksinimit. Kjo shoqërohet me një „rakordim të hollësishëm” në përcaktimin e rendit të vaksinimeve nga një komision i përhershëm. Mbi këtë bazë Ministria e Shëndetësisë do të nxjerrë një rregullore, shpjegoi kancelarja.
Instituti Robert Koch-Institut (RKI) brenda 24 orëve të fundit njoftoi për 487 raste vdekjesh nga koronavirusi. Kjo është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë. Gjithashtu në Gjermani vazhdon të ketë shumë të infektuar. Gjatë ditëve të fundit ka pasur një rënie të ulët të infeksioneve të reja, por efekti i shpresuar prej kufizimeve të pjesëshme ende nuk është ndjerë. (dpa,afp)

Top Channel