CDC paralajmëron për “periudhën më të vështirë” të shëndetit publik në SHBA

03/12/2020 17:23

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) paralajmëruan për një dimër të zymtë, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një valë rastesh të reja me COVID-19.

“E vërteta është se dhjetori, janari dhe shkurti, do të jenë kohërat më të vështira”, tha Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Në të vërtetë besoj se do të jetë koha më e vështirë në historinë e shëndetit publik të këtij kombi”, tha ai.

Zoti Redfield tha se vala aktuale e rasteve me COVID-19, është më e keqe se ato të mëparshmet, duke pasur parasysh shtrirjen gjeografike dhe lakoren në rritje të infektimeve dhe vdekjeve, pasi që Shtetet e Bashkuara po regjistrojnë afërsisht 2 mijë vdekje nga virusi çdo ditë.

Ai paralajmëroi gjithashtu për mbingarkesën e personelit dhe spitaleve në gjithë vendin, të cilëve po u shterojnë shtretërit.

Ndonëse shumë amerikanë ndjehen të “lodhur” nga udhëzimet për distancë fizike dhe mbajtje maskash, zoti Redfield u bëri thirrje qytetarëve që t’u përmbahen këtyre praktikave në muajt e ardhshëm.

Miliona amerikanë udhëtuan për festën e Falënderimeve javën e kaluar, pavarësisht këshillave të ekspertëve shëndetësorë kundër fluturimeve dhe tubimeve në grupe më të mëdha në një vend.

Të mërkurën CDC tha se amerikanët duhet të shkurtojnë periudhën e karantinimit në dhjetë ditë ndryshe nga e kaluara kur ajo ishte 14 ditëshe.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 273 mijë vdekje dhe më shumë se 13.9 milionë raste të konfirmuara të të prekurve nga koronavirusi./vOA

Top Channel