Dy analistë në Washington mendojnë se administrata e presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden, do ta shtojë vëmendjen ndaj rajonit të Ballkanit.
Charles Kupchan, drejtor i studimeve për Europën në Këshillin prestigjioz për Marrëdhëniet me Jashtë, ka punuar për një kohë të gjatë me Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe e ka shoqëruar atë shpesh gjatë vizitave në Europë.
“Bideni e ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës i përqendruar te siguria evropiane dhe tek NATO-ja, ndryshe nga Trump, i cili në thelb u tërhoq nga integrimi evropian. Prandaj, nuk ka dyshim se të gjithë në Evropë po marrin frymë të lehtësuar. Ndoshta jo të gjithë, sepse një pjesë kanë mbajtur marrëdhënie të mira me Presidentin Trump, por ata janë përjashtim,” tha ai për Zërin e Amerikës.
“Mendoj se ndryshe nga shumë politikanë që të them të drejtën nuk e dinë se ku bie Ballkani, Joe Bideni gjen gjithnjë kohë për këtë rajon. Kur punoja me të në Shtëpinë e Bardhë, ai ishte gjithnjë i gatshëm të shkonte atje dhe fliste vazhdimisht në telefon me udhëheqësit e Ballkanit”, shpjegon analisti.
Janusz Bugajski, studiues në Fondacionin Jamestoën, thotë se u takon vetë shteteve të Ballkanit Perëndimor që të realizojnë reformat brenda tyre, por ka shumë rëndësi që Shtetet e Bashkuara t’i inkurajojnë këto vende. “Mendoj se një riangazhim i Biden ndaj BE-së do të ndihmojë vendet që kërkojnë të anëtarësohen dhe do të bindë shumicën e politikanëve në këto vende që t’i hyjnë punës për të plotësuar kushtet e anëtarësimit, ”shprehet ai.
Top Channel