Ushtria e Jemenit kërkon ndihmën e OKB-së për të ndaluar sulmet ndaj civilëve

02/12/2020 09:05

Ushtria jemenase i ka bërë thirrje sot OKB-së për të ndërmarrë veprime në ndalimin e sulmeve që synojnë civilët në vend.

Zëdhënësi i Ushtrisë Kombëtare të Jemenit, Abdo Abdullah Majali, në një deklaratë në faqen e internetit të September.net tha se sulmet e fundit nga rebelët Houthi në qytetet Taiz dhe Al Hudaydah ishin një masakër.

Ai tha se institucionet e lidhura me OKB-në duhet të marrin masa në të gjitha nivelet për të ndaluar këto masakra dhe për të mbrojtur civilët sipas konventave ndërkombëtare. Gjithsej nëntë persona kanë humbur jetën, duke përfshirë fëmijë, ndërsa 20 të tjerë u plagosën në sulmet e kryera nga rebelët Houthi në Al Hudaydah më 29 nëntor dhe Taiz më 30 nëntor.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin e vendit, Sanaa. Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga sauditët nisi një fushatë ajrore shkatërruese që synonte të rikthente fitimet territoriale të Houthive.

Dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilë, besohet se janë vrarë në konflikt, i cili ka çuar në krizën më të keqe humanitare në botë, pasi miliona persona përballen me rrezikun e urisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta