Palestinezët të indinjuar me planet për hapjen e zyrës serbe në Jeruzalem

01/12/2020 16:22

Përfaqësuesi i Autoritetit Palestinez në Serbi, Mohamed Nabhan reagoi ndaj deklaratës së kryeministres serbe, Ana Bërnabiç, se do të hapet një zyrë e Odës Ekonomike të Serbisë (SCC) në Jeruzalem.

Nabhan tha:

“Jeruzalemi është një vijë e kuqe për popullin e tij. Hapja e një zyre të tillë në Jeruzalem, një qytet i okupuar është e papranueshme sipas të gjitha rezolutave të Kombeve të Bashkuara”.

Më 27 nëntor, kryeministrja, Ana Bërnabiç deklaroi se hapja e zyrës së Odës Ekonomike të Serbisë ishte e gatshme dhe se “po kërkohej një moment i përshtatshëm për të udhëtuar në atë vend në mënyrë që të bëhej zyrtare fillimi i punës”.

Ajo ka thënë se hapja e kësaj zyreje u dakordua nga Marrëveshja e Uashingtonit, e cila u nënshkrua më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, dhe vuri në dukje se “Serbia do të përmbushë atë që nënshkroi në atë dokument”.

“Ne qëndrojmë prapa marrëveshjes që kemi nënshkruar dhe vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, pavarësisht nga ndryshimi në administratën amerikane”, tha Bërnabiç duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se deri ku ka arritur zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit.

Serbia dhe Kosova, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump nënshkruan një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Uashington më 4 shtator.

Marrëveshja përmban 16 pika dhe Serbia është zotuar se do të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem dhe gjithashtu ka planifikuar hapjën e një zyreje të Odës Ekonomike. Sipas marrëveshjes, Kosova dhe Izraeli kanë rënë dakord për njohjen reciproke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA