Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave e rëndoi bilancin e grupit E në kualifikueset për Evropianin 2022, pasi praktikisht e ka kthyer në mirazh kualifikimin në raundin tjetër.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Armir Grima humbi minimalisht 1-0 ndaj Portugalisë, dhe me 6 pikë në 8 ndeshje nuk ka çfarë të pretendojë për dy vendet e para që avancojnë në fazën e ardhshme.
Vajzat kuqezi rezistuan vetëm një pjesë loje në Estadio Do Restelo, pasi Ana Kapeta arriti të prishë ekuilibrat në minutën e 57-të, në portën e mbrojtur nga Viona Rexhepi. Futbollistja nga Mitrovica bëri një lojë të mirë, dhe goli ishte i vetmi që pësoi në transfertën e Lisbonës. Zëvendësimet e trajnerit grima në 10 minutat e fundit nuk sollën asgjë të re për Shqipërinë.
Edicioni i radhës për Evropianin e femrave do të zhvillohet në 8 qytete të ndryshme në verën e vitit 2022 në Angli.
Top Channel