Anglia del nga mbyllja e dytë/ Nga mesnata kalon në një sistem me tre nivele karantinimi

01/12/2020 20:53

Pas afro një muaji, e mërkura e gjen Anglinë jashtë mbylljes së dytë.

Duke filluar nga mesnata, vendi do kalojë në një sistem me tre nivele karantinimi, ku niveli i parë është më i lehti dhe i treti më kufizuesi. Londra do jetë në nivelin e dytë, bashkë me qytetin e Liverpool-it, ndërsa Manchester-I, qyteti i dytë më i madh në ishull, do jetë në nivelin e tretë, bashkë me pjesë të mëdha të veriut të Anglisë.

Kalimi në sistem nivelesh nënkupton hapjen e pabeve, restoranteve dhe palestrave, në pjesën më të madhe të vendit, ndërkohë britanikët do mund të udhëtojnë lirisht nëpër botë dhe të shkojnë me pushime, por sërish do karantinohen pas rikthimit në Britani, kësaj here jo për 14 ditë siç ka qenë deri më sot, por vetëm për 5 ditë, nëse një tampon për Covid-in brenda pesë ditësh do të rezultojë negative. Sipas ministrit britanik të Shëndetësisë virusi është tashmë nën kontroll.

Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave, që nga fundi i tetorit rritja e numrit të vdekjeve është ngadalësuar. Nga përditësimet zyrtare sugjerohet se piku i vdekshmërisë ka qenë në javën e tretë të nëntorit ose më saktë në 21 nëntor, ose dy javë pas vendosjes së mbylljes së dytë dhe tendenca është në rënie. Të hënën, Britanai kishte 205 vdekje dhe 12.330 infektime. Shpresa është që brenda dhjetorit nëse autorizohet përdorimi i vaksinave nga rregullatorët, Britania do të fillojë vaksinimin e popullsisë duke filluar me punonjësit e shëndetësisë dhe moshat më të thyera dhe më të rrezikuara si fillim, duke kaluar më pas me ato më pak të moshuara.

Masat shtrënguese me sistem nivelesh pritet të jenë në fuqi deri në 3 shkurt të vitit të ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA