Në spitalin Shefqet Ndroqi, ku po trajtohen të sëmurët me COVID-19, mëngjesin e kësaj të hëne është regjistruar rasti 5-të i personave që vetëhidhen nga ambientet ku po kurohen.
Viktima më e fundit, u raportua se ishte një 60 vjeçar nga Rrësheni, i cili kishte vetëm dy ditë që ishte shtruar në spital. Për këtë temë, u diskutua në studion e emisionit “Ftesë në 5”, ku një ndër të ftuarat, ishte psikologia Denada Toçe. Psikologia tha se personat e prekur me COVID, por edhe të tjerë, po kalojnë një periudhë traume sistematike, e cila vjen si pasojë e situatës kaotike që po kalon bota sot. Ajo shtoi se ne duhet të adaptojmë metoda të përshtatshme me kulturën dhe mentalitetin shqiptar dhe të mos huazojmë me masë, metoda nga vendet e ndryshme evropiane. Sipas Toçes, qytetarët kanë një mungesë të theksuar sensibilizimi dhe ende ekziston mes tyre skepticizmi i mos ekzistencës së këtij virusi vrasës.
“Sikundër edhe e thash nëpërmjet mediave të tjera ne po shoqërohemi me një situatë traume të vazhdueshme dhe më pas do të jetë ajo post traumatik, e cila është prezente dhe individualisht. Askush nuk mund të mbetet i paprekur. Në qoftë se kemi individë që kanë problem të shëndetit mendor kjo evidentohet gjatë trajtimit në spitale. Sikundër rasti i fundit ka persona të tjera që janë prekur me COVID dhe kanë pasur problem të tjera. Ne nuk e dimë nëse këto simptoma janë të lidhura me situatën, apo kanë qenë prezent në jetën e individit. Unë nuk mendoj që problematikat e shëndetit mendor, janë problematika që ne do i menaxhojmë gjatë, në këtë stres që ka kapur shoqërinë. Unë që herët kam sugjeruar të adaptojmë dhe të marrim shumë mënyra nga Evropa, shtetet fqinje, shtete që kanë pasur përvojë më të gjatë. Ne duhet të mbështetemi dhe në kulturën tonë, kushtet tona. Ne kemi kushte të tjera, të trajtimit të pacienteve dhe mentalitetit. Ne sot një nga arsyet kryesore që kemi një shpërndarje kaq të lartë, e kemi të vështirë të ndërgjegjësohemi që është real. Unë kam pasur sot të njëjtën thirrje. Për mua trauma më e madhe është të shikosh neglizhencën e shoqërisë tonë, që jeta vazhdon, kjo më duket një mohim i realitetit. Ne duhet të rehabilitojmë shpirtrat tanë, por ne duhet të menaxhojmë që kjo situatë është ekzistente, reale. Ata individë që e mbajnë radhë në spitale, prindërit tanë, vëllezërit tanë, po vuajnë për shkak të ato radhëve atje. Të thash që situate të kësaj natyre ndodhin”, tha psikologia.
Top Channel