Lamtumirë Maradona! Legjenda e futbollit përcillet në banesën e fundit

27/11/2020 12:15

Ishte një lamtumirë e gjatë ajo që iu dha legjendës së futbollit botëror, një ndër më të mëdhenjve të historisë së këtij sporti, Diego Armando Maradona që u nda nga jeta këtë të mërkurë në moshën 60 vjeçare.

Pas homazheve të zhvilluara në Pallatin Presidencial Casa Rosada, Diego Armando Maradona u përcoll për në banesën e fundit.

Arkivoli me trupin e legjendës së futbollit botëror u dërgua në Bella Vista u u zhvillua ceremonia mortore. Kortezhi u shoqërua nga dhjetëra gazetarë dhe fotografë si dhe persona të shumtë gjatë gjithë itinerarit të përshkruar deri në vendin e ceremonisë mortore, me këta të fundit që me mënyrën e tyre nuk reshtën së shprehuri dashurinë dhe admirimin që ndjenin për këtë sportist të madh.

Ceremonia mortore për atë që dhuroi spektakël në fushat e gjelbra, u zhvillua në mënyrë private ku të pranishëm ishin familjarët e legjendës që u varros pranë prindërve të tij

Që në orët e para të mëngjesit të së enjtes, dhjetëra mijëra persona hynë në radhë për të përshëndetur për herë të fundit idhullin e tyre në homazhet e organizuara për këtë futbollist të madh, madje një pjesë e tyre shkaktuan trazira teksa u përplasën me policinë që raportoi për disa të arrestuar dhe e gjithë kjo për të pasur mundësinë që të ishin pranë Maradonës në udhëtimin drejt banesës së fundit të tij.

Impakti i Diego Armando maradonës ka qenë i madh gjatë gjithë kohës dhe sic thuhet, legjenda na la, por El Pibe De Oro do të mbetet i përjetshëm.

Top Channel