Guvernatori Gent Sejko, këtë të enjte, ishte i ftuar në emisionin “Top Talk”, ku foli mbi situatën ekonomike në vend, pas krizës së COVID-19 por edhe tërmetit tragjik, i cili sot shënjoi 1 vjetorin e saj.
Sejko tha se borxhi është rritur si pasojë e pandemisë, pasi qeveria lëshoi paketat ndihmuese për bizneset, të cilët në të kundërt do të përballeshin me një situatë tejet të vështirë sipas Sejkos. Guvernatori shtoi se në buxhetin e vitit 2021 është parashikuar një stabilitet ekonomik si edhe ulje e borxhit.
“Institucioni përgjegjës i cili bën qoftë analizimin dhe publikimin e shifrës së borxhit publik është ministria e Financave, Banka e Shqipërisë është konsumatore e këtij treguesi që e përdor më pas për analizat e saj e cila e merr nga Ministria e Financave, borxhi ynë në fund të tre mujorit të tretë, shifra zyrtare është 79 % dhe parashikimi është që në fund të këtij viti do të jetë 80.9 %. Pra është në rritje krahasuar me fillimin e vitit që ishte 66.3 %. Kemi pasur një rritje të borxhit publik, pra si pasojë qoftë e huamarrjes, efekteve të krizës, shpenzimet në rritje nga ana e qeverisë Shqiptare në lidhje me paketat, rënia e GDP-së pra si numërues.
Të gjithë treguesit kanë çuar në një rritje të nivelit të borxhit. Objektivi ynë para krize ka qenë konsolidimi fiskal. Rënia e borxhit publik, pasi pothuaj konsiderohej një nivel i lartë i borxhit dhe borxhi që kishim. Ka dhe një rregull fiskal pra një ligj të miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë, që na orientonte drejt rënies së nivelit të borxheve në vite dhe një parashikim konkret. Situata e pandemisë ka detyruar të gjithë shtetet, jo vetëm Shqipërinë të rrisë nivelin e borxhit publik. Unë e kam theksuar edhe para parlamentit në situata të tilla rritja e nivelit të borxhit është një e keqe e domosdoshme. Edhe politika fiskale ka ndryshuar orientimin e saj nga konsoliduese ka shkuar lehtësuese, duhet qeveria të lëshonte paketat të ndihmonte në atë periudhë në të kundërt ekonomia do të goditej rëndë dhe pasojat e krizës do të ndiheshin më thellë. Ky nivel borxhi publik, me mbarimin e krizës duhet menjëherë të kthejmë kahun dhe parashikimi i bërë në buxhetin e shtetit është me rënie të nivelit të borxhit që në vitin 2021. Për 2020 niveli i borxhit do të rritet, është i gjithëpranuar”, tha Sejko.
Ndërsa i pyetur në lidhje me kreditë e këqija guvernatori u përgjigj:
“Lidhur me kreditë e këqija kemi bërë një përpjekje të madhe në nivel reforme prej 5-6 vitesh, niveli i kredive të këqija arriti në 25% në vitin 2015 për arsye të shumë faktorëve që ne kemi përmendur që pas krizës së vitit 2008 sistemi bankar u godit fort dhe kreditë e këqija u rritën sa që u bënë një kërcënim i madh për stabilitetin financiar të vendit. U ndërmorën shumë reforma nuk është vendi për ta thënë, për të listuar, që e kthyen situatën dhe ulën nivelin e kredive të këqija në 8.1 %. Ne kishim një parashikim nëse nuk do të ishte kjo krizë, që të shkonim me nivelin e 5% të kredive të këqija që do të ishte sukses për ne. Kemi dalë jashtë këtij parashikimi, nuk është rritur shumë niveli i kredive të këqija është në 8.3%”.
Top Channel