Në emisionin “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Guvernatori tregoi se përse sektori i ndërtimit nuk është prekur gjatë pandemisë së koronavirusit, ku përmendi disa faktorë.
Sejko tha se projektet e ndërtimit janë afatgjata dhe kanë një proces që variojnë në disa vite. Gjithashtu shtoi se punimi në hapësira të hapura, i ka lejuar atyre që të mos e ndërpresin aktivitetin edhe në kushtet që ndodhet vendi dhe e gjithë bota.
“Po në fakt gjithmonë është ndërtuar. Ndërtimi vazhdon, ka disa faktorë. E para ndërtimi ka qenë në vijimësi edhe para krize dhe vazhdon. Në raport me pandeminë është një industri që bëhet ajër të hapur, masat kufizuese kanë ndikuar më pak, projektet e ndërtimit janë më afatgjata, fillojnë dhe mbarojnë si procese në disa vite. Pasuria e patundshme është një mundësi e mira të investimit në raport me normat e ulëta të interesit, që bankat qendrore ndërmarrin dhe reflektojnë më pas në sektorin financiar. Megjithatë ndërtimi nga shifrat tona ka një rënie në raport me vitet e kaluar, edhe ndërtimi është prekur nga pandemia, ka një rënie në 14 %, por këto janë projekte në vazhdimësi që vazhdojnë. Ne bëjmë një vrojtim mbi sektorin e ndërtimin por analizën e mirëfilltë me faktorët 100% duke pasur parasysh dhe nivelin e lartë të informalitetit që ne kemi në Shqipërim unë nuk mund ta them të saktë, por faktorët janë këto që përmenda”, tha Sejko.
I pyetur nga gazetari Dyrnjaja në lidhje me pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, Sejko tha se në dijeninë e tij ky fenomen nuk ndodh. Kjo për arsye se Bashkimi Evropian ka vendosur seksione të qarta për bankat e niveleve të dyta, të cilat i respektojnë me rigozitet ato. Nga të dhënat që Banka e Shqipërisë ka mbledhur deri më tani, sipas Sejkos nuk ka konfirmime se pastrimi i parave ushtrohet në aktivitetet e ndërtimit.
“Po mund të jetë, mund të mos jetë këtu nuk mund të jap përgjigje të saktë. Informacioni që ne kemi si bankë qendrore shtrihet përbrenda kufijve ligjorë dhe të aktivitetit që ushtron banka qendrore në raport me sektorin financiar, me të cilin e mbikëqyrim dhe monitorojmë dhe në raport me pastrimin e parasë dhe nuk na rezulton në raport me sektorin financiar, por masat dihen, që bankat e nivelit të dytë janë më shumë strikte, të shtrënguara. Institucioni i Bashkimit Evropian, për vlerësimin e shteteve në raport me pastrimin e parasë, sistemi bankar e ka vlerësuar në nivel të lartë në raport me sektorët e tjerë. Në raport me bankat nuk mund të konfirmoj dot që sektori i ndërtimit mund të përfshihet në këtë aktivitet, nuk kam të dhëna zyrtare”, përfundoi guvernatori.
Top Channel