Vatnajökull, një ndër akullnajat më të mëdha të Evropës po zhduket me ritme alarmante.
Ajo mbulon 8% të sipërfaqes së Islandës dhe ujërat që rezultojnë nga shkrirja ushqejnë lumenjtë më të fuqishëm të vendit. Parku kombëtar i shpallur në këtë akullnajë ka dhjetë vullkane aktive. Në 2019-ën, ai u përfshi dhe në listën e UNESCO-s të Pasurive Botërore. Por shtresa e akullit po zvogëlohet me shpejtësi, thonë shkencëtarët:
“Shumë shqetësuese. Na ka habitur nga shpejtësia e ritmeve të shkrirjes,” shprehet Snaevarr Gudmundsson me Shoqatën e Shtresave Akullnajore.
Sipas përllogaritjeve, rreth 150 mijë litra ujë shkrihen çdo sekondë nga majat akullnajore. Kjo rezulton në afro 13 miliardë litra akull të shkrirë në ditë. Shkencëtari Gudmundsson parashikon se me të tilla ritme, brenda pesë vjetësh kjo shtresë akulli do të jetë zhdukur.
Islanda ka përjetuar rritje të ndjeshme në sektorin e turizmit në 10 vjetët e fundit, e këtë vit prej koronavirusit, ai u godit edhe më shumë. Por përsa kohe që vazhdojnë të ekzistojnë akullnajat, konsiderohet se do të rezistojë edhe shpresa për rikthimin e turistëve. Problemi është se shkencëtarët po bëjnë tani paralajmërime shqetësuese.
Shkrirja e akullit paraqet kërcënim për një numër sektorësh të prodhimit. Islanda ka një sektor të diversifikuar energjetik, që mbështetet në prodhim gjeotermik, hidroenergjetik e forma të tjera, të gjitha të varura nga pasuritë ujore të vendit që ushqehen nga akullnajat.
Top Channel