“Covid- 19” është Luftë Botërore! Dhe ky është lajm i keq, madje shumë i keq! Lajm i mirë në këtë Luftë është që nuk ka fronte apo llogore, ku një shtet apo një koalicion shtetesh lufton kundër një shteti apo një koalicioni tjetër.

Lajm i mirë është që të gjithë shtetet e Globit janë në një llogore, të gjithë bashkë kundër një armiku që nuk shihet me sy, por jo imagjinar, madje tmerrësisht shkatërrues. Një bashkim i tillë, në një llogore të përbashkët, të përbotshme e pansolidare, në një situatë lufte, do të mund të imagjinohej vetëm në filmat fantastikë-shkencorë kundër jashtëtokësorëve, alienëve.

“Covid- 19” është “Alieni” që ka sulmuar Globin. Fronti i Përbashkët Global kundër këtij armiku, janë në radhë të parë Ushtria e Bluzave të Bardha. Janë ata që po përleshen dhëmbë për dhëmbë, ditë dhe natë, duke mohuar jetët e tyre private, deri në vetëmohim.

Bluzat e bardha nuk çngjyrosen! Ato mbeten të tilla. Bluzat e bardha nuk mund të shndërrohen në ngjyrë blu, rozë, të verdhë apo jeshile. Tentativat për t`i ndryshuar ngjyrën sipas interesave politike apo partiake, janë sa primitive, aq edhe keqdashëse. Tentativa të tilla synojnë të fusin virusin shkatërrimtar dhe përçarës ndërmjet bluzave të bardha, duke infektuar solidaritetin e tyre profesional. Solidaritet që triumfon mbi çdo meskinitet!

Kemi parë shumë lajme këto kohë Pandemie. Në televizione, në rrjetet sociale. Kemi parë dhe dëgjuar nëpërmjet tyre për takime të përbashkëta midis Qeverive, Organizatave Ndërqeveritare, Institucioneve Shkencore dhe Shëndetësore nga njëra anë dhe mjekëve profesionistë nga ana tjetër. Të gjitha takimet kanë ndodhur në kuadër profesional, shkencor dhe logjistik me qëllimin e ndërtimit të një strategjie fituese në luftën ndaj Covid- 19.

Nuk e kam parë, as nuk e kam dëgjuar, as nuk e kam imagjinuar atë që po ndodh në Shqipëri: që një lider Opozite të takojë dhe të konceptojë plane masash me mjekët “e tij”, që një President Republike të ndërtojë strategji me mjekët “e tij”, apo që një Kryetar i një partie të bëjë të njëjtën gjë, edhe ky me “të tijët”.

Virusi luftohet nga të gjithë mjekët njëlloj, strategjitë ndërtohen nga të gjithë ekspertët njëlloj: me profesionalizëm! Mjeku “opozitar” nuk është as më i aftë, as më i paaftë se mjeku “pozitar” dhe e kundërta. Protokollet dhe skemat ndërtohen mbi baza shkencore dhe shkenca nuk është e partive, por e profesionistëve.

Siç e thashë më sipër, sot mjekët janë vënë në një sprovë të vështirë, e cila rrezikon të cenojë solidaritetin profesional dhe atë human mes tyre: atë të të qenit “i këtyre” apo “i atyre”. Ndoshta sot ata po “kuptojnë” se i kujt paska qenë ky apo ai.

E kujt i vlen e gjitha kjo? Sot më shumë se kurrë është koha e profesionistëve dhe shkencëtarëve, të cilët kanë të veshur vetëm një bluzë, atë të bardhën. Janë këto bluzat të cilat kanë bërë betimin e Hipokratit. Ato nuk janë betuar mbi statute partish. Mjekët nuk janë as “të tyre” dhe as “të këtyre”. Ata janë thjesht “tanët”!

*Producent i “Hipokrati”

Top Channel