Nga 300 milionë euro sa ishte premtuar se do të investoheshin nga konsorciumi turk Çalik –Limak për distribuimin e furnizimit me energji elektrike, deri më tani janë investuar mbi 150 milionë euro, ka bërë të ditur zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala.

Ky konsorcium, i cili në vitin 2012 privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, duke e blerë atë për 26.3 milionë euro, kishte premtuar se për 15 vjetët e ardhshëm do të bëjë investime në rrjet, furnizim stabil të energjisë elektrike dhe zvogëlim të humbjeve komerciale dhe teknike.

Por, këto investime kanë treguar që janë të pamjaftueshme për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike, pasi që Kosova vazhdon të përballet me ndërprerje të kohëpaskohshme të energjisë elektrike.

KEDS/KESCO në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, ka për obligim furnizimin e pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Zëdhënësi i Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike, Viktor Buzhala, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndërprerjet e energjisë janë si rezultat i renovimeve të cilat po ndodhin në rrjetin energjetik.

Ai thotë se këto ndërprerje janë të planifikuara dhe konsumatorët njoftohen me kohë.

“Në këto raste kur jemi duke bërë renovimin komplet të rrjetit dhe duke i zëvendësuar gjitha astet e rrjetit distributiv të tensionit të mesëm, këto nuk mund të kryhen nën tension dhe si rrjedhojë brenda ditës ne kemi bërë ndalesa të planifikuara, këto ndalesa nuk janë të shpeshta”, thotë ai.

Së fundmi në Prishtinë banorët e lagjes ‘Kodra e Diellit’, ‘Mati 1’ dhe disa lagje të tjera për orë të tëra janë ballafaqur me mungesë të energjisë elektrike. Gjatë vikendit të kaluar, banorët e këtyre lagjeve nuk kanë pasur rrymë gati 20 orë.

KEDS këtë ndërprerje e kishte arsyetuar me një prishje që kishte ndodhur në një nënstacion.

Por, edhe për ditët në vijim, KEDS përmes faqes zyrtare, njofton për ndërprerje të energjisë, për shkak siç thuhet, ‘punimeve të domosdoshme që do të bëhen’.

Renovimet në rrjetin energjetik edhe për disa vite

Për këtë vit, shton Buzhala një pjesë e madhe e renovimeve në rrejt kanë përfunduar, për të filluar përsëri në pranverën e vitit të ardhshëm.

“Kemi trashëguar një rrejt energjetik në gjendje të rëndë kur është marrë në vitin 2013. Nevojitet renovim komplet dhe këtë jemi duke e bërë etapa- etapa. Renovimi emergjent do të marrë edhe disa vite kohë”, thotë Buzhala.

Pa rrymë në pandemi
Ndërprerjet e kohëpaskohshme me energji elektrike kanë vështirësuar jetën e Ardita Simincës dhe familjes së saj pesë anëtarëshe.

Tani në kohën e pandemisë me COVID-19 kur në të shumtën e rasteve puna po bëhet nga shtëpia, dhe fëmijët po ndjekin mësimet online, një ndërprerje e energjisë elektrike, thotë ajo, krijon probleme të shumta.

“Kjo çka po ndodh me rrymë, farë nuk është në rregull. Ne e paguajmë energjinë elektrike dhe ta ndalin dhe askujt nuk i intereson, as dëmshpërblim nuk merr për këtë, ndërsa nëse një muaj nuk e paguan vinë dhe të shkyqin nga rrejti”.

“Tash të gjitha punët po bëhen nga shtëpia, fëmijët po mësojnë online, ndalet rryma dhe ata e humbin mësimin. Kjo është problem i madh, vetëm pas luftës edhe tani kjo situatë me energji”, thotë ajo.

KEDS/KESCO nuk po përmbush kontratën për furnizim pa ndërprerje

Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDP), thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka shitur distribucionin për energji elektrike pikërisht me arsyen që të mos ketë reduktime.

“Operatori e ka një obligim që qytetarët t’i furnizojë pa ndërprerje me energji elektrike dhe kjo nuk po respektohet”, thotë ai.

Abazi thotë që Kosova të zgjidhë problemin me energji elektrike duhet të ketë një vendimmarrje më të përgjegjshme, e atillë që është e bazuar në të dhëna, në hulumtime e studime.

“Duhet të punohet ne efiçencën e energjisë të bëjmë kursime të energjisë. Kur të optimzojmë në masën sa me të madhe pjesën e eficenës së energjisë, atëherë mund të shikojmë investime në energji elektrike solare, nga era e të tjera. Po ashtu duhet të bëhet edhe integrimi i Kosovës në tregjet rajonale dhe evropiane. Kjo duhet të fillojë me një bashkim të plotë të tregut të Kosovës dhe Shqipërisë një liberalizim të tregut të brendshëm që do të sillet më tepër investime në sektorin e energjisë”, thotë ai.

Problemi me furnizim stabil me energji elektrike në Kosovë së fundi është theksuar edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve të publikuar më 9 shtator të këtij viti.

Kosova tani e sa vite ka një projekt për ndërtimin e termocentrali të ri “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë, projekt ky i cili ishte konsideruar se do ta shkarkonte Kosovën nga problemet me energji elektrike.

Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023 dhe ndërtimi i tij do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Por, kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e termocentralit, është tërhequr tanimë nga plani për ndërtimin e termocentralit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se pavarësisht tërheqjes së kompanisë amerikane Contour Global nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, Kosova nuk kanë hequr dorë nga realizmi i këtij projekti, i cili synon të shkarkojë Kosovën nga problemet që ka me furnizim stabil me energji elektrike.

“Sikur është në programin qeverisës 2020 – 2023, qeveria do të rishikojë projektin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Këto janë modalitete që po diskutohen në secilin instancë dhe për secilin vendim që merret do të jemi transparentë me publikun dhe do të ju informojmë”, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, Uran Haxha, zëdhënës në Ministrinë e Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA