Edhe pse jemi pak muaj larg zgjedhjeve elektorale të 25 prillit, partitë politike në vend kanë ndezur motorët dhe kanë nisur jo zyrtarisht fushatën. Partia Socialiste ka konfirmuar se do të hyjë e vetme në këto zgjedhje, ndërsa në kampin opozitar situata mbetet ende e paqartë.

Për këtë foli ish-presidenti Bujar Nishani në “Top Talk”, ku sqaroi se si qëndron raporti mes Partisë Demokratike dhe aleatëve të tjera opozitar. Nishani tha se ekziston një marrëveshje mes partive opozitare e cila mbetet ende në fuqi. Ai shtoi se kryetarët e partive të vogla, janë në komunikim të vazhdueshëm me zotin Basha, i cili është kryetari i bllokut opozitar.

“Natyrisht që media dhe opinioni publik janë në të drejtën e tyre të bëjnë vlerësime, gjykime, debati politik është një normalitet në jetën e përditshme në fushën e politikës po flas. Ajo që unë di dhe që jam pjesë apo dëshmitari i aktivitetit, tryeza e partive politike është një tryezë serioze që vazhdon të mblidhet. Kryetarët e partive natyrisht përtej tryezës janë në kontakt me njëri-tjetrin, pra me kryetarin e Partisë Demokratike që është lideri i bllokut opozitar. E vetmja çështje është fakti që për t’iu përgjigjur të gjitha tentativave abuzuese, keqdashëse, apo të një angazhimi malinj që kemi pasur ne duke keqpërdorur institucionin e parlamentit, votës në parlament të mazhorancës me ndryshimet e njëanshme të ligjit elektoral. Të gjitha këto janë elementë që opozita do i marrë në konsideratë për t’i përgjigjur në mënyrën e duhur. Ka vetëm një arsye që besoj është në tryezë ajo e maksimalizimit e eficensës elektorale”, tha Nishani.

Më tej, ish-presidenti tha se krahas marrëveshjes së opozitës së bashkuar, partitë kanë identitetin e tyre dhe do të tentojnë për të maksimizuar votat, e cila kthehet në shërbim të bllokut opozitar.
“Nuk ka as njëlloj lëkundje, as njëlloj dyzimi, me gjithë dijeninë time dhe analizën time”, theksoi Nishani.

“Natyrisht nuk di të them sa është frekuenca e takimeve të kryetares së LSI-së me kryetarin Basha, por di që kanë kontakte të vazhdueshme edhe në kuadrin e tryezës edhe në kuadrin e projektimin e aleancës zgjedhore dhe qeverisëse nesër. Së dyti unë mendoj që çështja e koalicionit dhe aleancave do të jetë vendim final i tryezës që është iniciuar prej kohësh. Që para zgjedhjeve të 2015 ka një marrëveshje me shkrim mes shumë partive politike të bllokut opozitar. Ajo marrëveshje është politike, elektorale, parazgjedhore dhe zgjedhore. Ka një koalicion të konsoliduar, nuk ka ndryshim e lëkundje nga vijimësia e kësaj marrëveshje, këtij ambienti politik në bllokun opozitar. Natyrisht çdo parti politike ka identitetin e saj, krahas taktikës dhe strategjisë elektorale. Natyrisht tenton të maksimalizojë votat edhe për vetë partinë sepse kjo është në shërbim të bllokut opozitar. Nuk ka as njëlloj lëkundje, as njëlloj dyzimi, me gjithë dijeninë time dhe analizën time”, tregoi ish-presidenti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA