​Mustafa kundër zgjedhjeve, paralajmëron takim për presidentin

24/11/2020 15:44

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të takojë partitë politike për të gjetur një zgjidhje për postin e presidentit. E zgjidhja për këtë të fundit, sipas kreut të LDK-së është që të arrihet një konsensus ndërmjet partive dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja.

Mustafa pasi takoi grupin parlamentar pasditen e së martës, para mediave tha se zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë zgjidhje, pasi vendi do të ishte në situatën e njëjtë pa president.

“Mendojmë në fillim të dhjetorit ose javën tjetër, ose pak më vonë, të ulemi dhe të organizojmë një tryezë të përbashkët me subjektet politike parlamentare me ata që janë të gatshëm të marrin pjesë dhe të bëjmë përpjekje të gjejmë një zgjidhje. Sipas opinionit tonë është më mirë të gjendet tani se të shkojmë në zgjedhje e të përsëritim situatën e njëjtë”, tha ai.

I pyetur se a është tërhequr nga gara për president, partneri i koalicionit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa tha se nuk e di një gjë të tillë, pasi ende nuk kanë bisedar me askënd për postin e zyrtarit më të lartë të shtetit.

“Nuk kam përgjigje, është çështje e zotëri Haradinaj dhe AAK-së, por për çdo gjë duhet të ulemi me të gjithë dhe të diskutojmë”, u shpreh Mustafa.

E për arsyen e qëndrimit të sotëm në Kuvend, kreu i LDK-së tha se kishte takim me deputetët e komuniteteve nga 6+, për të cilët tha se do të koordinohen në mënyrë që të konsolidohet prapë Grupi Parlamentar i tyre, pas shpërbërjes së djeshme me largimin e deputeti Adem Hoxha në Listën Serbe.

“Isha në Grup Parlamentar, sa isha i takuan edhe deputetët e 6+ meqenëse si duket tash e kanë një deputet më pak u morëm vesh të koordinojmë me grupin tonë parlamentar. Është edhe rregullorja e Kuvendit që ata të vazhdojnë derisa të bashkëngjitet deputeti shtesë, në mënyrë që prapë të konsolidohet grupi parlamentar 6+”, deklaroi ai.

Vendi prej 5 nëntorit është me ushtrues detyre të presidentit, ku kompetencat e të parit të shtetit i ka marrë kryerparlamentarja, Vjosa Osmani./Kosova Press/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA