Vaksina kundër koronavirusit e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit parandalon shfaqjen e simptomave të sëmundjes te njerëzit në masën 70 përqind.

Të dhënat e studimit përbën triumf dhe zhgënjim, sipas BBC, pasi vaksinat e prodhuara nga kompanitë Pfizer dhe Moderna, tregojnë 95 përqind mbrojtje. Megjithatë, vaksina e Oksfordit është thënë se do të jetë shumë më e lirë, më e lehtë për t’u ruajtur dhe për t’u transportuar në çdo cep të botës, krahasuar me dy të tjerat.

Nëse miratohet nga rregullatorët, ajo besohet se mund të luajë rol të rëndësishëm në luftën e pandemisë. Hulumtuesit e Oksfordit kanë kryer për 10 muaj, testimet për vaksina që zakonisht kryhen për një dekadë.

“Njoftimi i sotëm na çon një hap më afër kohës kur mund të përdorim vaksinat dhe t’i japim fund shkatërrimit të shkaktuar nga virusi”, tha ideuesja e vaksinës, Sarah Gilbert.

Qeveria britanike ka porositur deri më tani 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit së krijuar në bashkëpunim me kompaninë AstraZeneca. Këto doza konsiderohen të mjaftueshme për të imunizuar 50 milionë banorë. Në muajin gusht, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje me AstraZeneca për blerjen e të paktën 300 milionë dozave të vaksinës potenciale kundër COVID-19. Ndër përfitueset e kësaj vaksine dhuratë nga BE-ja është dhe Shqipëria, pasi sipas klasifikimit të Bankës Botërore ajo dhe i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor bën pjesë në vendet me të ardhura të mesme.

Top Channel