Koronavirusi i merr jetën në moshën 87-vjeçare regjisorit të njohur Muharrem Fejzo

22/11/2020 08:20

Regjisori i njohur shqiptar Muharrem Fejzo ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare nga COVID-19.

Lajmin e trishtë e ka dhënë djali i tij, Joe Fejzo me anë të një postimi në rrjete sociale.

Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e stë dhashë dot një got uje, nuk mertiton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”,  shkruan ai.

Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Ai gjithashtu kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij, regjisori Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989. Fejzo mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i Madh”. Covid-19 u ka marrë jetën deri tani 685 personave, mes tyre, politikanë, artistë mjekë e infermierë.
Raste pozitive  në vend janë 32.196 persona, ndër ta aktivë 16.042. Fatmirësisht kanë arritur të fitojnë betejën Raste të 15.469 pacientë të prekur me COVID.

FOTO GALERI
4/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA