Një zyrtar palestinez sot paralajmëroi për rritje të numrit të rasteve me koronavirus (COVID-19) midis të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
“Rreth 100 të arrestuar aktualisht janë të prekur nga koronavirusi”, tha për AA, Qadri Abu Bakr, kreu i Komisionit të Çështjeve të të Burgosurve dhe ish-të Burgosurve Palestinezë.
Ai shtoi se “Frika po rritet lidhur me përshkallëzimin e numrit të të infektuarve, si rezultat i neglizhencës së qëllimshme të administratës së burgut izraelit”.
Bakr vazhdoi duke thënë se masat e marra nga të gjitha burgjet izraelite janë të kufizuara në ofrimin e limonit dhe qetësues të dhimbjeve të të infektuarve dhe izolimin e tyre në qeli të veçanta.
Zyrtari palestinez nxiti bashkësinë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime për të shpëtuar të burgosurit.
Ai tha se udhëheqja palestineze u ka dërguar mesazhe institucioneve ndërkombëtare, konsujve dhe ambasadorëve në të gjithë botën për të ndërhyrë për lirimin e fëmijëve, të moshuarve dhe të burgosurve të sëmurë.
Sipas shifrave palestineze, numri i përgjithshëm i të arrestuarve palestinezë në burgjet izraelite që u infektuan me koronavirus është rreth 130, përfshirë 30 që janë shëruar.
Shifrat palestineze tregojnë se rreth 4.500 palestinezë, përfshirë 40 gra, 170 fëmijë dhe 700 pacientë, aktualisht mbahen në institucionet e paraburgimit në Izrael./AA/
Top Channel