Ndaj nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, janë drejtuar kritika me arsyetimin që e njëjta nuk ka ditur të menaxhojë seancën dhe si pasojë e kësaj ka pasur përplasje fizike në mes të deputetëve. Madje, sipas disa deputetëve ajo ka keqpërdorur pozitën e saj në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu ka thënë se Nagavci duhet të kuptojë drejt pozitën e saj dhe jo ta keqpërdorë.
“E ke keqpërdorur pozitën që nga fillimi i seancës. Nuk të lejohet në bazë të rregullores të flasësh nga pozita, e aq më tepër të komentosh fjalën e secilit deputet. Kuptoje pozitën tënde – je vetëm drejtuese e seancës, asgjë më shumë. Më vjen keq por e keni keqpërdorur skajshmërisht”, tha ajo.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj ka kritikuar nënkryetaren e Kuvendit Arbërie Nagavci duke thënë se përplasja e sotme fizike ndërmjet deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka ndodhur si pasojë e keqmenaxhimit të detyrës.
“Incidentet në Kuvend çdo herë kanë ndodhur për shkak se kryesuesi i seancës i ka nxitur duke mos menaxhuar në pajtim me dispozitat e rregullores së punës së Kuvendit dhe incidenti i sotëm në Kuvend ju adresohet juve zonja Nagavci”, tha ai.
Në pjesën e parë të seancës së sotme të Kuvendit, ku u diskutua për çështjen e personave të pagjetur, deputetë të LDK-së dhe Vetëvendosjes përveç verbalisht, u përplasën edhe fizikisht./Kosova Press/
Top Channel