Nga plehrat Malltezi fitoi miliona/ Zbardhen interesat e dhëndrit të Berishës në menaxhimin e mbetjeve

18/11/2020 15:40

Gazetarët e emisionit Top Story në Top Channel kanë siguruar dokumente se si Jamarbër Malltezi përfitoi projekte mjedisore për menaxhimin e plehrave, kur vjehrri i tij ishte kryeministër i Shqipërisë.

Në vitin 2010, Banka Botërore financoi një projekt për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe pastrimin e zonës bregdetare. Për ndjekjen e këtij projekti, qeveria angazhoi dhëndrin e kryeministrit Berisha. Projekti që menaxhonte Malltezi kishte një buxhet prej 27.5 milionë dollarësh dhe kishte për fokus pastrimin e mbetjeve të rrezikshme në Porto Romano, ndërtimin e një vend transferimi mbetjesh në Himarë dhe ndërtimi i një landfilli në Bajkaj të Sarandës.

Nëse i shohim me vëmendje këto 3 investime, Porto Romano u kthye në zonën më të ndotur të Durrësit, vend transferimi i Himarës nuk u vu kurrë në punë, ndërsa landfilli i Bajkaj në Sarandë është jashtë çdo standardi. Banka Botërore nisi hetimet për këtë skandal, por sot e kësaj dite nuk dihet sesi arriti të shpëtojë nga drejtësia, Malltezi dhe grupi që menaxhoi projektin. Por përfitimet e Malltezit nuk përfunduan me kaq. Në vitin 2012, Lulzim Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe landfillin e Sharrës e menaxhonte ortaku i kunatit të tij. Basha i kërkoi dhëndrit të Berishës, që të bënte një vlerësim mjedisor për Sharrën. Por shikoni se çfarë shkruante në raport Malltezi, për landfillin e Sharrës, që e menaxhonte indirekt kunati i Bashës.

“Me një ndihme financiare nga Qeveria Italiane (një kredi prej 4,6 milionë Euro) është ndërtuar një landfill i ri sanitar në Sharrë. Pas vënies ne funksionim Landfilli i Sharrës ka pëRmirësuar mjaft mjedisin sidomos cilësinë e ajrit në rrethinat e tij. Nga një studim për parametrat kryesorë të ajrit në Sharrë të realizuar para dhe pas funksionimit të tij rezultojnë se përmbajtjet mesatare”.

Malltezi manipuloi publikun në vitin 2012, duke thënë se Sharra kishte parametra normal të mjedisit. Kjo është një e pavërtetë. Mjafton të shikosh pamjet e asaj kohe. Në të njëjtin raport, Malltezi sugjeronte që të krijohej një landfill tjetër, mes Tiranës dhe Durrësit.

“Vlerësimi i projektuesve të landfillit është se landfilli i ri në Sharrë, do të zgjasë vetëm deri në vitin 2015, vit pas të cilit duhet gjetur një vend tjetër. Bashkëpunimi Italian për Zhvillim ka ofruar një fond për studimin e identifikimit të vendit. Propozimi fillestar është që Tirana dhe Durrësi mund të ndajnë një landfill të kombinuar diku në kodrat midis dy qyteteve”.

Pas këtij propozimi fshiheshin interesa të reja, pasi bëhej fjalë për ndërtimin e landfillit në Manëz. Mjaftojnë këto dy raste, për të kuptuar sulmet e Malltezit ndaj menaxhimit të plehrave aktualisht.

Top Channel