Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se do të dërgojnë një propozim në Kuvendin Komunal që çdo qytetar i Prishtinës, i konfirmuar me COVID-19 në listat e IKSHP, do të subvencionohet me 50 euro në emër të shpenzimeve shëndetësore.
Ahmeti në një postim në Facebook ka shkruar se kjo është një shumë modeste, por brenda kapaciteteve ekzistuese komunale dhe shpreson se qeveria do të shtojë një subvencionim të tillë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Për modalitetet e kriteret do të ju njoftojmë me kohë. Tashmë jemi dakorduar me partnerët e koalicionit në Prishtinë e shpresojmë që të marrim mbështetjen e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, ka shkruar Ahmeti.
Postimi i plotë:
Këto ditë do ta dërgojmë propozimin në Kuvendin Komunal që çdo qytetari të Prishtinës (zyrtarisht në regjistrin civil) që është i konfirmuar me korona në listat e IKSHP të subvencionohet me 50 euro në emër të shpenzimeve shëndetësore, jashtë shërbimeve të ofruara nga sistemi jonë shëndetësor.
E dimë që është shumë modeste, por këto janë kapacitetet e Komunës tonë. Shpresojmë që qeveria të shtojë subvencionim të tillë për krejt qytetarët e Republikës së Kosovës.
Për modalitetet e kriteret do të ju njoftojmë me kohë. Tashmë jemi dakorduar me partnerët e koalicionit në Prishtinë e shpresojmë që të marrim mbështetjen e Partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Top Channel