Më 17 nëntor një grup islamik i dha fund bllokimit të hyrjes në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, pasi qeveria premtoi të shqyrtojë dëbimin e ambasadorit francez.
Në fund të tetorit protestat kundër Francës shpërthyen në disa vende myslimane, pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, mbrojti të drejtën për të botuar karikatura, përfshirë ato që konsiderohen ofenduese për disa myslimanë.
Mijëra aktivistë të Tehreek-e-Labaik Pakistan (TLP) u përleshën me policinë dhe bllokuan një kryqëzim të madh në hyrje të kryeqytetit Islamabad më 15 nëntor.
Një klerik radikal që drejtoi protestën i bëri thirrje qeverisë, që të dëbojë ambasadorin e Francës në Pakistan dhe të shpallë një bojkot zyrtar të produkteve franceze.
Ministri i brendshëm dhe i çështjeve fetare zhvilloi bisedime me udhëheqësit e protestave më 16 nëntor dhe i siguroi ata se parlamenti do të diskutojë dëbimin e ambasadorit francez.
Qeveria premtoi gjithashtu se do të bojkotojë produktet franceze, megjithëse nuk ishte e qartë nëse importet do të ndaloheshin. “Ne jemi shpërndarë pasi të gjitha kërkesat janë përmbushur”, tha zëdhënësi i grupit, Qari Zubair.
Komentet e Macron erdhën pasi muajin e kaluar, në Francë, një mësues i historisë u vra në mënyrë mizore, pasi ai e kishte ilustruar një ligjeratë për shprehjen e lirë, me karikaturën e profetit Muhamed.
Një 18-vjeçar me origjinë nga Çeçenia, i lindur në Moskë, është përgjegjës për vrasjen.
Sulmuesi ia kishte prerë kokën mësuesit. Pas sulmit, ai është qëlluar për vdekje nga policia.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e quajti aktin si “sulm terrorist islamik“.
Karikaturat ishin botuar fillimisht në revistën satirike Charlie Hebdo, ndaj zyreve të së cilës ishte kryer një sulm terrorist më 2015.
Çdo përshkrim i Muhamedit është i ndaluar në islam dhe konsiderohet fyes nga myslimanët.
Disa ditë më pas, një burrë tjetër vrau tre persona në një kishë të Nicës, në atë që presidenti francez e përshkroi si “një sulm terrorist, islamik”.
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan kishte thënë se “rrymat në rritje të islamofobisë” në Evropë dhe përqeshja e profetit Muhamed solli ekstremizëm midis të rinjve myslimanë.
Më herët, presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thënë se vendi i tij po lufton “separatizmin islamik, kurrë Islamin”.
“Franca po lufton kundër … urrejtjes dhe vdekjes që kërcënon fëmijët e saj – kurrë kundër Islamit. Ne kundërshtojmë mashtrimin, fanatizmin, ekstremizmin e dhunshëm. Jo fenë”, ka thënë Macron./REL
Top Channel