Inspektori i Lartë i Drejtësisë me anë të një deklarate për mediat ka sqaruar procedurat hetimore lidhur me të ndaluarit Bilbil Hasani, i cili kreu vetëvrasje në paraburgimin e 313.
Sipas ILD, hetimi ka nisur pas publikimit në media të vetëvrasjes së të ndaluarit Bilbil Hasani, në paraburgimin e 313
Më tej në reagim thuhet se ILD ka kërkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendimin e arsyetuar në lidhje me rrëzimin e kërkesës për t’i tërhequr vërejtje prokurores E.K, e cila la në burg Bilbil Hasanin, të arrestuar për vjedhje, por vuante nga problemet mendore dhe më pas u vetëvra në burgun 313-të në Tiranë.
Në deklaratën e shpërndarë për media nga ILD-ja thuhet se pas përfundimit të hetimit, ky institucion i paraqiti Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkesë për procedim disiplinor ndaj magjistrates dhe propozoi masën “Vërejtje publike”, bazuar në gjetjet se ajo nuk ndërmori asnjë veprim për të verifikuar gjendjen shëndetësore të të ndaluarit, edhe pse u paraqit një vlerësim mjekësor, se personi vuan nga sëmundje e llojit “Skizofreni tipi Paranoid“.
Me 7 vota pro dhe dy kundër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që të rrëzojë kërkesën e ILD-së për vendosjen e masës disiplinore për prokuroren Elina Kombi.
SQARIM I INSPEKTORIT TE LARTE TE DREJTESISE MBI RASTIN E TE NDJERIT BILBIL HASANI:
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve mbi arsyet e procedimit disiplinor të kërkuar për prokuroren e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, E.K., Inspektori i Lartë I Drejtësisë sqaron se hetimi ka nisur pas publikimit në media të vetëvrasjes së të ndaluarit Bilbil Hasani, në paraburgimin e 313. Pas përfundimit të hetimit, ILD i paraqiti Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkesë për procedim disiplinor ndaj magjistrates dhe propozoi masën “Vërejtje publike”, bazuar në gjetjet se magjistratja nuk ndërmori asnjë veprim për të verifikuar gjendjen shëndetësore të të ndaluarit, edhe pse u paraqit një vlerësim mjekësor, se personi vuan nga sëmundje e llojit “Skizofreni tipi Paranoid“.
Për një rast të tillë, Kodi i Procedurës Penale (nenet 43, 182, 259, 327/6 shkronja a, 328/1 dhe 329/a) e detyron prokurorin të kryejë një sërë veprimesh proceduriale, përfshi këtu edhe verifikimin e gjendjes mendore të të pandehurit.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në pritje të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për këtë rast, për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm.
Top Channel