Një sistem i ri mafioz i zhvatjes së €50 për çdo arkivol nga shtëpitë e funeraleve është goditur së fundmi nga policia në rajonin jugor të Puglia.
Disa dhjetra aksione u kryen mëngjesin e sotëm në Foggia dhe sollën arrestimet e 40 anëtarëve të një organizate kriminale që përshkruhej nga autoritetet si armiku “numër një i vendit”.
Hetuesit kishin pikasur kërcënimet nga katër grupet e mëdha mafioze italiane – Cosa Nostra në Siçili, Ndrangheta në Kalabri, Kamorra në Napoli dhe Sacra Corona Unita në Puglia – por shqetësimet po shtoheshin për organizatën e re në Foggia, që kishte nisur të merrte pseudonimi “mafia e pestë”.
Të dyshuarit mes të cilët dhe drejtuesit e klanit Federico Trisciuoglio e Pasquale Moretti, u akuzuan për pjesëmarrje në organizatë mafioze, dhenie parash me fajde dhe zhvatje të sipërmarrësve e dyqanxhinjve, përfshi dhe shtëpitë e funeraleve.
Prokurorët thanë se klanet në Foggia kërkonin që shtëpitë e funeraleve të paguanin €50 për çdo varrim që kryenin. “Mafia kishte arritur të korruptonte një punonjës të administratës lokale i cili i furnizonte me informacione për të vdekurit e përditshëm në qytet”, tha Ludovico Vaccaro, kryeprokurori i Foggia, për britaniken Guardian.
Vaccaro shtoi se grupet mafioze kishin shtuar aktivitetin e parave me fajde të ekzagjeruara duke përfitua rnga sipërmarrësit në vështirësi prej pandemisë. Në disa nga rastet ata i jepnin para me masë interesi 400%.
“Mafia në Foggia po kthehej në armikun publik numër një,” tha prokurori anti-mafia Federico Cafiero De Raho. “Por reagimi i shtetit është bërë më i fortë ndaj tyre.”
Hetimet e gjera nisën pas një serie bombash në makinë në Foggia në fillim të vitit.
“Mafia në Foggia është relativisht e re. Klanet nag të cilat përbëhen organizatat zotërojnë territoret e tyre prej 30 vjetësh. Ato nuk mund të krahasohen me grupet historike mafioze si Cosa Nostra e Ndrangheta, por kanë një gradë të lartë agresioni e dhune. Unë do ta quaja mafie primitive – nga ato që kufomat ia jep derrave t’i hanë, për të humbur gjurmët”, shton Vaccano.
Mafia në provincën e Foggia ka lindur në fund të viteve 1970, kur kreu i mafias ‘Neapolitane’ Raffaele Cutolo u takua me një grup kriminelësh për t’i marrë në organizatën e tij me qëllim forcimin e kontrabandës së cigareve drejt Ballkanit.
Sot thuhet se të paktën tre grupe mafioze veprojnë në Foggia. Përveç ‘Società Foggiana’, e cila merret me zhvatje dhe shpërndarje drogash, është klani Cerignola i njohur për grabitjet e armatosura dhe trafikun e kokainës, si dhe grupi Gargano, në zonën e majës së “çizmes së Italisë” i cili besohet se ka kryer rreth 300 vrasje.
Top Channel