Një testim i rëndësishëm i një vaksine antiCovid ka nisur në Britaninë e Madhe, i treti testim i tillë në vend.

Vaksina, e krijuar nga kompania Belge Janssen, përdor virusin e të ftohtit të zakonshëm të modifikuar gjenetikisht për të trajnuar sistemin imunitar. Kjo vjen një javë pasi rezultatet paraprake treguan se një tjetër vaksinë, ajo e Pfizer dhe Biontech, ofruan 90 përqind mbrojtje. Sidoqoftë, shumë lloje vaksinash ka gjasa të nevojiten për ti dhënë fund pandemisë.  Suksesi i vaksinës së prodhuar nga Pfizer dhe BionTech ka shkaktuar entuziazëm global.

Sidoqoftë ajo nuk është miratuar ende për përdorim dhe nuk dihet ende se sa efikase është tek të moshuarit apo sa zgjat imuniteti që ajo siguron. Gara për vaksinat antiCovid vazhdon ndërsa një qasje e ndryshme mund të jetë më e mirë në disa grupe moshe dhe një kompani e vetme nuk do të mund të imunizonte planetin.

“Është vërtetë e rëndësishme që ne të punojmë për vaksina të ndryshme nga prodhues të ndryshëm”, thotë Saul Faust, drejtor i klinikës NIHR në Sothampton, që edhe do të kryejë testimin. Sipas tij, nuk dihet se si secila prej këtyre vaksinave do të funksionojë ndërkohë që nuk ka siguri edhe për furnizime të mjaftueshme me vaksinën nga një prodhues i vetëm.

Testimi ka nisur me rekrutimin e 6 mijë personave në Britaninë e Madhe. Të tjera vende do të bashkohen në nismë duke e çuar totalin e vullnetarëve në rreth 30 mijë.

Top Channel