Kompania amerikane Moderna thotë se të dhënat paraprake tregojnë se vaksina e saj kundër COVID-19 është gati 95% efektive.

Rezultatet janë të ngjashme me ato të kompanive Pfizer dhe BioNTech, të cilat ditë më parë njoftuan se testimi i vaksinës së tyre ka rezultuar 90% efektiv në fazën finale, në të cilën janë përfshirë më shumë se 40 mijë njerëz. Rezultatet e vaksinave të këtyre kompanive shtojnë besimin në rritje se zbulimet e tyre mund të ndihmojnë në përfundimin e pandemisë. Kompanitë kanë përdorur një qasje mjaft inovative dhe eksperimentale për të zbuluar vaksinat e tyre.

Moderna thotë se është një “ditë e shkëlqyer” dhe ata planifikojnë të aplikojnë për miratim në mënyrë përdorimi i vaksinën të fillojë në javët e ardhshme. Testimi përfshiu 30.000 njerëz në SHBA. Ende nuk e dihet se sa do të zgjasë imuniteti nga vaksinat, pasi duhet më shumë kohë për të përcjellë gjendjen e vullnetarëve që kanë marrë pjesë në testim. Gjithashtu nuk ka të dhëna se sa mirë funksionon në grupmoshat më të vjetra, të cilat janë më të rrezikuara nga COVID-19.

Dhe, ende nuk dihet nëse vaksina thjesht ndalon njerëzit të sëmuren rëndë, ose nëse i ndalon ata gjithashtu të përhapin virusin. Më herët shefi i OBSH-së paralajmëroi se vetëm vaksina nuk do të jetë e mjaftueshme për të mposhtur pandeminë e koronavirusit të ri.

“Ne e dimë se një vaksinë është e domosdoshme për ta vënë pandeminë nën kontroll. Ndaj OBSH ka propozuar procedura të përshpejtuara. Por është e rëndësishme të nënvizojmë se vaksina vetëm do të plotësojë mjetet e tjera që kemi dhe nuk mund ti zëvendësojë ato. Një vaksinë, e vetme, nuk do t’i japë fund pandemisë”.

Prandaj, ai bëri thirrje që masat për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit, të tilla si testimi, karantina dhe monitorimi i kontakteve të mos shfuqizohen para kohe.

Top Channel