Rënia e numrit të rasteve të reja të koronavirusit dhe rënia e shkallës së infektimit bëjnë të besojmë se kemi kaluar pikun e epidemisë.

Kështu tha për të parën herë nga fillimi i valës së dytë, ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran.

“Kemi rimarrë kontrollin e epidemisë”, nënvizoi ai.

Franca është nën izolim të pjesshëm prej javësh tashmë, me mbylljen e bareve dhe restoranteve, por me shkollat që janë lënë hapur. E me sa duket, izolimi ka dhënë efektet e tij. Edhe Gjermania është në izolim të pjesshëm që nga 2 nëntori dhe për kancelaren e vendit, Angela Merkel, shifrat e koronavirusit po stabilizohen por shumë ngadalë. Italia në anën tjetër po regjistron shifra të larta infektimesh ditore dhe sipas ministrit të Shëndetësisë, Roberto Speranca, kulmi i epidemisë në vend mund të arrihet pas shtatë ditësh.

Ndërkohë, për Krishtlindjet ai nuk jep asnjë sinjal.

“Mungojnë ende edhe 40 ditë që në planin epidemiologjik përbëjnë një kohë shumë të gjatë. Për momentin, tani çdo diskutim është i kotë”.

Sa për vaksinimin në masë, ai thotë se duhet pritur tre mujori i dytë i 2021. Austria ndërkohë po planifikon një testim masiv në përfundim të izolimit të dytë që do të hyjë në fuqi javën e ardhshme. Njoftimi u bë nga kancelari Sebastian Kurz, që tha se kishte qëllim të hidhte një hap të ngjashëm me atë në Sllovaki, ku dy javë më parë, dy të tretat e popullatës u testuan, me pak më shumë se 1 përqind rezultate pozitive.

Organizata Botërore e shëndetësisë ka regjistruar një kulm absolut të rasteve të reja të koronavirusit në botë, të shtunën. Ajo ka regjistruar 660905 infektime në një ditë. Në të gjithë botën, sipas OBSH-së janë 54.3 milionë rastet e infektimit, ndërkohë që vazhdon të rritet edhe numri i viktimave. Nga fillimi i pandemisë janë të paktën 1313471 viktima, sipas AFP-së që mbledh të dhënat e raportuara nga burime zyrtare.

 

 

Top Channel