94.5% e efektshme në parandalimin e prekjes nga Covid 19, por edhe në rast infektimi, nuk lejon që pacienti të kalojë në gjendje të rëndë: vaksina e Moderna është përshëndetur si arritje e suksesshme në përpjekjet për mposhtjen e pandemisë që ka gjunjëzuar pjesë të tëra të globit.

Së bashku me vaksinën e kompanisë Pfizer, gjithashtu me një nivel efektshmërie mbi 90% dhe në pritje të më shumë të dhënave për sigurinë, Shtetet e Bashkuara mund të kenë dy vaksina të autorizuara për përdorim emergjent në dhjetor, me deri në 60 milionë doza të disponueshme nga fundi i vitit.

Moderna është kompania e dytë amerikane që raporton brenda një jave rezultate që tejkalojnë pritshmëritë për efektivitetin e vaksinës. Vaksina e saj është testuar në 30 mijë persona. Nga këta, pati 95 raste që rezultuan pozitivë me Covid dhe 11 u prekën nga një formë e rëndë e infeksionit. Por të 11-të nuk kishin marrë vaksinën, por një imitim të saj pa asnjë lloj efekti. Vaksina administrohet me dy doza, 28 ditë larg njëra tjetrës. lajmi i prodhimit te vaksinës së dytë ka ndikuar menjëherë në tregjet e aksioneve, që pësuan rritje.

Ndërkohë, duket se ka një avantazh të rëndësishëm ndaj vaksinës së Pfizerit dhe BionTech-ut, sepse ndryshe nga kjo e fundit që duhet ruajtur në temperaturën minus 80 gradë Celsius dhe kërkon për këtë arsye dhe frigoriferë specifikë, ajo e Modernës  nuk ka nevojë të mbahet në temperature të tilla, dhe kjo e bën më të lehtë  shpërndarjen. Moderna pret që vaksina të jetë e qëndrueshme në temperaturat standarde nga 2 deri në 8 gradë Celsius për 30 ditë dhe mund të ruhet deri në 6 muaj në temperaturë -20 gradë Celsius.

Prodhimi i vaksinës Moderna do të kryhet pjesërisht nga firma zvicerane Lonza në impiantet e reja në Shtetet e Bashkuara dhe Zvicër. Linjat e reja të prodhimit të kompanisë në Portsmuth të shtetit Nju Hempshër, synojnë të fillojnë prodhimin e përbërësve të vaksinës në nëntor, ndërsa tre linjat në Zvicër, duhet të fillojnë shpërndarjen deri në dhjetor, tha kompania zvicerane në fund të shtatorit .

Top Channel