Veliaj uron 76-vjetorin e çlirimit të Kavajës: Do vazhdojë të transformohet nën drejtimin e PS

14/11/2020 14:31

Kavaja kremtoi sot 76-vjetorin e çlirimit nga pushuesit nazi-fashistë. Së bashku me veteranë, drejtues të pushtetit vendor, i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se për PS, Lufta Nacional-Çlirimtare ka qenë dhe mbetet një simbol lavdie dhe krenarie.

“Për Partinë Socialiste, për familjen tonë të madhe politike, lufta nacional-çlirimtare ka qenë dhe mbetet një simbol lavdie dhe krenarie, dhe si forcë politike mbetemi të palëkundur në detyrimin që sot kemi ndaj atyre brezave patriotik, atdhetar dhe kombëtar që dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe ëndrrës për vendosjen e Shqipërisë në binarët evropian dhe të ardhmes euroatlantike. Ndaj besoj fort se mënyra më e mirë për ta nderuar sakrificën e tyre, është të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar, për të ecur para me procesin e transformimit të Shqipërisë, të reformave për integrimin evropian, si dhe ndërtimit të një shoqërie te lirë, të drejtë dhe të barabartë ashtu siç e aspironin ata burra dhe gra, 76 vjet më parë kur rrokën armët dhe u nisën në një rrugë pa kthim”, theksoi Veliaj.
Drejtuesi politik i PS nënvizoi se, pavarësisht përpjekjeve për të përçarë shoqërinë tonë, qytetarët e drejtë dinë të gjykojnë historinë mbi fakte dhe jo mbi fjalë.

“Teksa jemi të gjithë bashkë, nuk ka sesi të mos ndjejmë krenari dhe respekt për veprën e tyre, për atë çka ata bënë që ne të jetonim në paqe, si njerëz të lirë, në një botë mes kombeve të lira, e mbi të gjitha për të mëshiruar peshën që mban akti i unitetit dhe i bashkimit, shpesh i neglizhuar në këto kohët e fundit. E them këtë sepse e di që ka nga ata histerikë që duan të na përçajnë, duke dashur të bëjnë bashkë periudhën e errët komuniste të pasluftës me periudhën e artë të bashkimit dhe sakrificës në Luftën Antifashiste. Janë po të njëjtit që sot duan të na ndajnë edhe në luftën kundër virusit dhe në betejën e rindërtimit. Por ka një vijë ndarëse të qartë në këtë mes, e kanë vendosur edhe vendet e Evropës Lindore, e kemi vendosur edhe ne si Parti Socialiste, bashkë me qytetarët e drejtë, që dinë të gjykojnë historinë mbi fakte dhe jo mbi llafe”, u shpreh ai.

Veliaj nënvizoi se sakrifica dhe përpjekjet e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e Kavajës dhe të Shqipërisë, mëshirojnë asgjë më shumë e asgjë më pak se idealet e ndërtimit të një shoqërie të fortë, të mire arsimuar dhe me perspektivë evropiane. “Unë jam i bindur, edhe si i dërguar politik në Kavajë, se Kavaja nuk do të ndalet, por do të vazhdojë të transformohet ashtu siç po transformohet çdo cep i Shqipërisë, çdo fshat, çdo qytet, ku qeveria dhe bashkia kanë bashkëpunuar nën udhëheqjen e Partisë Socialiste”, deklaroi ai.

Erion Veliaj nënvizoi se për sa kohë kjo formulë bashkëpunimi bashki-qeveri ka rezultuar e suksesshme në Tiranë, nuk ka pse të mos funksionojë edhe në Kavajë. “Lypset të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë, në mënyrë që reformat e nisura të japin frytet e veta deri në fund. Shumë punë na presin! Por, hap pas hapi, sfidë pas sfide, sukses pas suksesi, së bashku po ndërtojmë Shqipërinë që patriotët tanë ëndërronin dhe pa dyshim fëmijët tanë meritojnë. Edhe për ne shqiptarët ka ardhur momenti të reflektojmë e ta ndalim vrullin e urrejtjes, të përçarjes dhe të shërohemi jo vetëm nga virusi, por edhe nga ndasia dhe dëshpërimi që disa me papërgjegjësi e shpërndajnë. Jam shumë i lumtur që sot 14 nëntori na ka bërë të gjithëve BASHKË, socialistë dhe demokratë! Do të doja që kështu të ishim gjithmonë për të ardhmen e kombit”, u shpreh Veliaj.

Fjala e plotë:

Jam sot shumë i prekur që jam me ju, edhe pata një mundësi të bisedoja me familjarët, me ata që e mbajnë gjallë frymën, shoqatën e veteranëve, shoqatën e atyre që janë familje të dëshmorëve, pasardhës. Edhe jam shumë i impresionuar nga dashuria dhe pasioni që mbruhet edhe këtu në Kavajë në një ditë të shënuar si sot. Edhe jam dyfish krenar, sepse vij si përfaqësues i PS, një partie që i ka rrënjët në anti-fashizëm, i ka rrënjët në historinë e luftës Nacional-Çlirimtare, i ka rrënjët në atë brez të sakrificës sublime, siç e thanë edhe parafolësit. Vitin e kaluar jo pa qëllim udhëtuam nga Lushnja në Rrogozhinë, Shijak, këtu në Kavajë, për të risjellë ndërmend sesi 100 vite më përpara u bëmë bashkë për të sjellë qeverinë në Tiranën e sapo shpallur kryeqytet i Shqipërisë nga Kongresi i Lushnjës. Kjo frymë e bashkimit dhe unifikimit nuk u zbeh, por vazhdoi të frymojë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku sërish ne shqiptarët u bëmë bashkë në luftën kundër nazi-fashistëve për çlirimin e Shqipërisë. 14 nëntori për Kavajën përfaqëson një ditë të shënuar, dhe për qytetarët e saj një mënyrë për të kujtuar ata veteranë patriotë, burra dhe gra që sakrifikuan në luftën antifashiste Nacional-Çlirimtare, duke renditur popullin shqiptar dhe popullin e Kavajës dhe gjithë Shqipërinë tonë në anën e duhur të historisë, mes çlirimtarëve dhe fituesve në aleancën më të madhe të parë ndonjëherë kundër makinerisë shfarosëse dhe vrastare nazi-fashiste. Ndaj sot, teksa jemi të gjithë bashkë, nuk ka sesi të mos ndjejmë krenari dhe respekt për veprën e tyre, për atë çka ata bënë që ne të jetonim në paqe, si njerëz të lirë, në një botë mes kombeve të lira, e mbi të gjitha për të mëshiruar peshën që mban akti i unitetit dhe i bashkimit, shpesh i neglizhuar në këto kohët e fundit.
E them këtë sepse e di që ka nga ata histerikë që duan të na përçajnë duke dashur të bëjnë bashkë periudhën e errët komuniste të pasluftës me periudhën e artë të bashkimit dhe sakrificës në Luftën Antifashiste. Janë po të njëjtit që sot duan të na ndajnë edhe në luftën kundër virusit dhe në betejën e rindërtimit. Por ka një vijë ndarëse të qartë në këtë mes, e kanë vendosur edhe vendet e Evropës Lindore, e kemi vendosur edhe ne si Parti Socialiste bashkë me qytetarët e drejtë që dinë të gjykojnë historinë mbi fakte dhe jo mbi llafe. Ka një kufi ndarës të qartë sepse kur filloi lufta, fundi dukej i largët për çdokënd dhe e ardhmja e zymtë dhe e pa qartë për shumë syresh. Por heronjtë zgjodhën të mbajnë besimin se kauza e luftës së tyre ishte e drejtë dhe pikërisht ky besim i mbajti të fortë dhe të vendosur për të vazhduar përpara. Ishin pikërisht ata, heronjtë, që në kokën e tyre nuk bluanin asnjë ideologji të majtë apo të djathtë, siç flasim sot, asnjë kalkulim politik përveç se dëshirë për të qenë të lirë në tokat tona, në vendin tonë.
Më kujtohet Mark Twain i cili ka një thënie të bukur për këtë kontekst: “Në fillim të një ndryshimi, patrioti është një njeri i rrallë, dhe trim, por dhe i urryer dhe i përbuzur. Por kur kauza e tij ka sukses, i ndrojturi (ose frikacaku) bashkohet me të, sepse atëherë nuk kushton asgjë e ke kollaj që të jesh patriot”. Thirrjet e tyre për të mos u dorëzuar dhe për të mos i humbur kur shpresat jehojnë edhe sot në këtë ditë të shënuar teksa po përballemi me sfidën e pamëshirshme të pandemisë dhe të rindërtimit pas tërmetit, sepse pavarësisht se në ç‘formë shfaqet, e keqja mbetet po ajo dhe mban po të njëjtin emër.
Për Partinë Socialiste, për familjen tonë të madhe politike, lufta nacional-çlirimtare ka qenë dhe mbetet një simbol lavdie dhe krenarie, dhe si forcë politike mbetemi të palëkundur në detyrimin që sot kemi ndaj atyre brezave patriotik, atdhetar dhe kombëtar që dhanë jetën për çlirimin e atdheut dhe ëndrrës për vendosjen e Shqipërisë në binarët evropian dhe të ardhmes euroatlantike. Ndaj besoj fortë se mënyra më e mirë për ta nderuar sakrificën e tyre, është të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar për të ecur para me procesin e transformimit të Shqipërisë, të reformave për integrimin evropian, si dhe ndërtimit të një shoqërie te lirë, të drejtë dhe të barabartë ashtu siç e aspironin ata bura dhe gra, 76 vjet më parë kur rrokën armët dhe u nisën në një rrugë pa kthim.
Unë besoj fort që sakrifica dhe përpjekjet e tyre mëshirojnë asgjë më shumë e asgjë më pak se idealet e ndërtimit të një shoqërie të fortë, të mire arsimuar dhe me perspektivë evropiane. Ndaj, duke qëndruar sot këtu përpara jush, e them me bindje të plotë që edhe Kavaja nën drejtimin dhe transformimin e Partisë Socialiste i ka qëndruar pranë këtyre idealeve si e vetmja mënyrë për t’u lënë fëmijëve një qytet ku mund të ritën më të fortë dhe më të aftë në rrugën e prosperiteti dhe përpalljes me sfidat e së ardhmes. Unë jam i bindur edhe si i dërguar politik në Kavajë, se Kavaja nuk do të ndalet, por do të vazhdojë të transformohet ashtu siç po transformohet çdo cep i Shqipërisë, çdo fshat, çdo qytet, ku qeveria dhe bashkia kanë bashkëpunuar nën udhëheqjen e Partisë Socialiste. Është një formulë që ka funksionuar në Tiranë dhe nuk ka pse të mos funksionojë edhe në Kavajë, por lypset të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë në mënyrë që reformat e nisura të japin frytet e veta deri në fund. Shumë punë na presin! Por, hap pas hapi, sfidë pas sfide, sukses pas suksesi, së bashku po ndërtojmë Shqipërinë që patriotët tanë ëndërronin dhe pa dyshim fëmijët tanë meritojnë.
Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden në fjalimin e tij të parë pa fitores gjithashtu bëri thirrje për bashkim dhe unitet kur tha: “Është koha të largohemi nga retorika e ashpër, të ulim temperaturën e diskutimit publik. dhe të shohim e dëgjojmë përsëri njëri-tjetrin …”. Unë besoj që kjo vlen edhe oër kontekstin shqiptar. Ndaj edhe për ne shqiptarët ka ardhur momenti të reflektojmë e ta ndalim vrullin e urrejtjes, të përçarjes dhe të shërohemi jo vetëm nga virusi por edhe nga ndasia dhe dëshpërimi që disa me papërgjegjësi e shpërndajnë. Jam shumë i lumtur që sot 14 nëntori na ka bërë të gjithëve BASHKË, socialistë dhe demokratë! Do të doja që kështu të ishim gjithmonë për të ardhmen e kombit. Prandaj sot ka dhe një arsye më shumë për të festuar këtë ditë të bekuar të çlirimit dhe për të uruar: Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe mirënjohje të gjithë popullit të Kavajës për atë çka bënë paraardhësit dhe stërgjyshërit e tyre për lirinë e Kombit. I jemi përjetë mirënjohës Kavajës dhe gjithë familjeve të dëshmorëve. Gëzuar festën e Çlirimit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA