Kërcënim nga Deti i Kuq/ Rusia hap bazë detare nëndetësesh në Sudan

14/11/2020 21:17

Rusia ka publikuar së fundmi planet për hapjen e një baze detare në Sudan, si pjesë e objektivit strategjik për rritjen e influencës ekonomike dhe ushtarake në Detin e kuq.

Shefat e mbrojtjes në Kremlin thonë se lëvizja ka si qëllim të “ruajë paqen dhe stabilitetin” por analistët amerikanë të sigurisë thonë se propozimet janë pjesë militarizimit në rritje në rajon nga forca të huaja, për të sigurur sa më shumë territore influence në Lindjen e Mesme, Afrikën Lindore dhe lindjen e Mesdheut.

Kina ka hapur tashmë bazën e saj të parë detare jashtë vendit në Xhibuti në lindje të Afrikës, ndërsa Turqia zotëron një port në kryeqytetin somalez Mogadishu.

Një bazë ruse në rajon do të aftësonte Moskën të monitorojë lëvizjet tregtare detare në detin e Kuq, mes detit Mesdhe dhe detit Arabik të ndarë nga kanali i Suezit.

Sipas draftit të marrëveshjes mes Rusisë dhe Sudanit “baza detare e logjistikës do të arrijë objektivat e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon” ndërsa shtohet se natyra e saj është difensive dhe nuk drejtohet kundër vendeve të tjera.

Baza do të përdoret për veprime riparimi e mirëmbajtjeje si dhe për pushim të ekuipazheve detare ruse në rajon.
Marrëveshja parashikon se një maksimum prej katër luftanijesh ruse do të qëndrojnë aty, duke përfshirë dhe ato me energji bërthamore, sipas normave të sigurisë mjedisore.

Në këmbim Rusia do të furnizojë pajisje ushtarake për Sudanin, duke përfshirë një sistem mbrojtjeje ajrore për portin Port Sudan.

Admirali rus Viktor Kravchenko tha se ajijet ruse kalojnë shpesh në zonën e detit të Kuq dhe baza e re do të jetë një vend i rëndësishëm rifurnizimi dhe riparimesh.

“Është një rajon i tensionuar prandaj prezenca e marinës ruse atje është e nevojshme. Sigurisht kapacitetet e flotës tonë do të rriten me këtë”.

Njoftimi erdhi 3 vjet pasi ish-presidenti tashmë i burgosur i Sudanit, Omar al-Bashir nënshkroi në Moskë paktin e bashkëpunimit për modernizimin e flotës së shkatërruar të vendit të tij.

Vladimir Putin kohët e fundit ka përforcuar interesin ekonomik e ushtarak në Afrikë, sidomos me samitin e 40 liderëve afrikanë të mbajtur në Sochi tetorin e shkuar.

Sudani është nga importuesit më të mëdhenj të armëve ruse në Afrikë, dhe kompani ruse janë aty për menaxhin të minierave dhe gazit natyror.

FOTO GALERI
5/5
Vladimir Putin kohët e fundit ka përforcuar interesin ekonomik e ushtarak në Afrikë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA