Vdes në spital 20-vjeçarja/ Gjirokastër, nëna e re nuk mbijetoi pas lindjes së djalit

13/11/2020 15:24

Një vajzë 20 vjeçare nga Metoqi i Sarandës humbi jetën në maternitetin e Gjirokastrës në orët e para të mëngjesit.

Ajo u soll në maternitet nga fshati Zhulat i Gjirokastrës nga familjarët e bashkëshortit pas dhimbjeve të lindjes. Mjekët vendosën për ndërhyrje çezariane për shkak të pozicionit të fëmijës dhe ndërhyrje që u krye rreth orës 9.30 dhe zgjati gati 40 minuta. E reja u bë nënë e një djali me peshë 2,5 kg dhe të dy u konfirmuan në gjendje të mirë.

Rreth orës 3 të mëngjesit pas komplikacioneve në frymëmarrje mjekët vendosën për trajtimin në reanimacioni të 20 vjeçares. Gjendja sipas kreut të spitalit Sokol Feruni u agravua me shpejtësi dhe vajza ndërroi jetë rreth orës 4. Sipas tij pritet që ekspertiza dhe autopsia të përcaktojnë shkaqet e vdekjes  dhe përgjegjësitë nëse ka të tilla.

Nga ana tjetër familjarët e Kledionës kanë pretenduar për mjekim të pakujdesshëm dhe akuzojnë mjekët se e kanë vënë re me vonesë përkeqësimin e gjendjes së vajzës.

Sokol Muxhaj vjehrri i vajzës tha se mjekët janë rikthyer në spital me vonesë dhe se mjekimi ka qenë i pavëmendshëm. Edhe vjehrra dhe kunati i viktimës konfirmuan gjendjen shumë të mirë dhe faktin se 20 vjeçarja nuk vuante nga asnjë sëmundje.

Kristina Fidhi

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA