Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dorëzuar SPAK-t një material voluminoz me anë të të cilit kërkon që të nisin hetimet për projektligjin “për metrologjinë”, të cilin ia ktheu një ditë më parë Kuvendit për rishqyrtim.

“Ky akt duket se synon të ligjërojë një skemë për qëllime klienteliste, në dhënien me koncesion të shërbimit shtetëror tek subjekte privat, në mënyrë të pakontrolluar, dhe pa negociuar asnjë kusht për mbrojtjen e interesit shtetëror.

Ky ligj:

– shmang konkurrencën e lirë;

– dëmton interesin publik;

– cenon interesat e shtetasve dhe të konsumatorit;

– cenon financiat publike;

– krijon shteg për abuzim me të drejtat e konsumatorit në tërësi;

– mbart rrezikun e prodhimit të kostove shtesë për një shërbim që duhet të kryhej nga shteti;
– ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues;

– është tregues se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por është orientuar në mbrojtje të një pakice subjektesh private.

E thënë thjesht, ky ligj, nisur nga përmbajtja evazive e dispozitave që lidhen me dhënien e autorizimeve dhe mungesës së qëllimshme të mekanizmave kontrollues, krijon bindjen tek publiku, e jo vetëm te Presidenti i Republikës, se de facto i hapet rruga dhënies së të drejtave koncesionare të tjera, në mënyrë të fshehtë, në shkelje flagrante të procedurës konkurruese sipas legjislacionit në fuqi.

Pra, përmes këtij ligji sipas përmbajtjes së miratuar, nga nesër çdo shërbim që kërkon certifikimin metrologjik, mund të jepet me koncesion pa garë, por thjesht dhe vetëm me firmën e një drejtori.

Përmes ligjit për metrologjinë, synohet që paligjshmërisë dhe abuzimit t`i sigurohet mbrojtje ligjore.

Në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam kthyer për rishqyrtim në Kuvend këtë ligj me Dekretin nr. 11811, datë 5.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë””, dekret i cili ende nuk është shqyrtuar nga Kuvendi dhe në këtë mënyrë edhe ligji nr. 126/2020, nuk ka hyrë ende në fuqi.

Nisur nga niveli shumë i lartë i hapësirave që lejon ky ligj për praktika abuzive me dhënien e autorizimeve dhe ofrimit të shërbimit publik nga subjekte private, si President i Republikës, përmes kësaj shkrese i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë menjëherë hetimet për të verifikuar se si është ndërmarrë dhe shqyrtuar nisma nga qeveria dhe cilat kanë qenë arsyet reale dhe autorët që e kanë shtyrë apo keqinformuar Kuvendin e Shqipërisë të pranojë këtë rregullim ligjor në dëm të interesit publik, duke vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë ata që kanë iniciuar, punuar, ndihmuar, lehtësuar dhe kanë bërë të mundur që kjo nismë të shohë dritën e miratimit në Kuvend dhe t`i hapë rrugën praktikave abuzive me pasurinë publike dhe të ardhurave të qytetarëve gjatë zbatimit në praktikë”.

https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2020/11/NJOFTIM-SPAK-PER-METROLOGJINE-12.11.2020-1.docx

Top Channel