Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë duke komunikuar në dy nivele për sigurimin e vaksinës antiCovid. Zemaj ka bërë të ditur se në momentin që vaksina del në treg e kanë obligim ligjor të sigurojnë dhe ta shpërndajnë te qytetarët.
“Interesimi dhe angazhimi ynë që të jemi pjesë e sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, është në mënyrë permanente. Janë dy nivele të komunikimit është konserciumi COVAX që ne jemi pjesë e sajë që nga fillimi i interesimit dhe përmes OBSh-së. Përqindja e caktuar është e siguruar në momentin kur del në përdorim e kemi edhe obligim ligjor që ta sigurojmë të tërën dhe ta shpërndajmë te qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj.
I pari i Shëndetësisë këto komente i ka bërë gjatë vizitës së sotme në spitalin e përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri”, në Mitrovicë.
Ndërkaq, ka shtuar se spitali ka disa vështirësi në pjesën e infrastrukturës. Derisa ka kërkuar që edhe niveli i përgjegjësisë dhe trajtimit të ngritët.
“Spitali Rajonal ka disa vështirësi edhe në pjesën që ndërlidhet me infrastrukturën, kapacitetet humane. Jemi në përkrahje edhe të dy niveleve tash të shohim sa më shpejtë jo vetëm në situatën pandemike por edhe të plotësimit të nevojave elementare që personeli shëndetësor edhe shërbimet këtu të jenë në avancim sipas nevojave që ka Mitrovica e Jugut. Nevojat shkojnë përtej kësaj nga ajo që dihet këtu është që shërbimet shëndetësore shfrytëzohen për një rajon të tërë dhe në kuadër të kësaj duhet ta kemi situatën gjithmonë nën kontroll edhe në aspektin epidemiologjik. Ka raste të infeksionit edhe në këtë komunë edhe në rajon janë duke u trajtuar. Fatmirësisht nuk ka raste të cilat në këtë fazë kanë përfunduar me fatalitet. Kërkuam që niveli i përgjegjësisë dhe i trajtimit të ngritet ashtu siç edhe e kërkon etika profesionale, do ta përcjellim këtë situatë me kujdes”, ka thënë Zemaj.
Kurse, kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri tha se po punojnë së bashku me stafin shëndetësor për ta menaxhuar situatën, pasi rastet janë duke u rritur.
“Falënderojmë Ministrin i cili ka ardhur tek ne për të trajtuar problemet të cilat çdo ditë po dalin më shumë dhe si të tillë po mundohemi bashkërisht të menaxhojmë siç është më së miri”, u shpreh Bahtiri.
Zemaj gjatë ditës ka vizituar edhe Spitalin e Vushtrrisë dhe ShSKUK-në.
Top Channel