Në këtë situatë pandemie, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka injoruar hapur masat e vendosura nga autoritetet shëndetësore për parandalimin e përhapjes së virusit.

Prej javësh tashmë, maska është një aksesor i detyrueshëm për çdokënd në ambiente të mbyllura apo të hapura, por vetë Kryemadhi, nuk ka pranuar të pajiset me të, madje edhe është gjobitur nga policia.

Ndërkohë, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, tha se Monika Kryemadhi kështu ka qenë gjatë gjithë angazhimit të saj politik, e ne duhet ta pranojmë ashtu siç është. Ai i cilësoi masat e vendosura nga autoritetet si të ekzagjeruara, duke shtuar, se në disa raste sipas tij ka edhe shkeje ligjore.

Luan Rama: Ajo që pamë, në sinkronin që ju na servirët (I referohet momentit kur Monika Kryemadhi gjobitet nga policia për mos mbajtjen e maskës mbrojtëse) është brenda tipologjisë së sjelljes politike dhe publike të zonjës Kryemadhi, që prej fillimeve të veta të angazhimit politik dhe deri më sot. Kjo është Monika në kushtet normale dhe anormale dhe duhet të shihet e të merret nga njerëzit ashtu siç është. Ndryshe ajo nuk do të ishte Monika, nëse nuk do të ishte ndryshe nga të gjithë të tjerët.

Por nuk është ky problemi. Më lejoni ta fokusoj pak çështjen tek ai episod për të nxjerrë thelbin e defektit që ka vetë vendimi i qeverisë, i cili i atribuon policisë së shtetit detyra nuk kanë të bëjnë me ligjin për qeverinë e shtetit. Vendimi i qeverisë që një punonjës policie, të ketë tagertin apo të drejtën, të vë gjobë, mbi një shkelje apo për një shkelje që ka të bëjë me masat shëndetësore, bie ndesh me detyrat që duhet të përmbushë Policia e Shtetit.

Denis Dyrnjaja: Të krijojmë polici shëndetësore tani?

Luan Rama: Ka inspektriat shëndetësor.

Denis Dyrnjaja: Me çfarë efektivash?

Luan Rama: Me ato që janë. Jo vetëm kaq, por paradoksi shkon më tej, që punonjësi i policisë mund të më vendosë mua gjobë dhe qeveria thotë që kjo gjobë mund të vilet, përmes pagesës së energjisë elektrike. Me çfarë të drejte, OSHE-ja, mund të më faturojë mua në faturën e energjisë elektrike një vlerë financiare që nuk është e parashikuar në kontratën që kam me OSHE-në. Kjo është shenjë, e papërgjegjshmërisë të qeverisë në menaxhimin e situatës dhe ky është njëri nga episodet. Unë nuk jam nga ata që janë kundër masave, siç vepron e gjithë bota, por ka një sens realist edhe në mënyrën se si vendosen masat. Përshembull, u bllokua fillimi i të gjitha universiteteve dhe u tha të bëhet online, ndërkohë që qeveria nuk ishte përgatitur për skenarin online. Ndërkohë ligji për arsimin online, nuk e njeh versionin online të mësimdhënies.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA