Liderët e Izraelit dhe Arabisë Saudite iu bashkuan udhëheqësve të tjerë botërorë, të cilët I përcollën urimet e tyre presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Edhe pse zgjedhja e Bidenit paraqet një pengesë për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ai sërish e uroi demokratin dhe zëvëndespresidenten, Kamala Harris.
“Joe, kemi pasur marrëdhënie të gjata dhe të ngrohta për gati 40 vjet dhe unë ju njoh si mik të mirë të Izraelit. Mezi pres të punoj me ju të dy, për të forcuar më të tej aleancën e veçantë midis SHBA-së dhe Izraelit”, shkroi Netanyahu në Twitter.
Netanyahu është konsideruar prej kohësh një aleat besnik i presidentit aktual të SHBA-së, Donald Trump, të cilin e ka përshkruar si mbështetësin më të fuqishëm të Izraelit në Shtëpinë e Bardhë. Netanyahu gjithashtu e falënderoi Trumpin për disa lëvizje, që, sipas tij, kanë çuar përpara interesat e shtetit hebre.
Nga Arabia Suadite, Mbreti Salman bin Abdulaziz dhe princi i kurorës, Mohammed bin Salman, e uruan po ashtu Bidenin për zgjedhjen president. Sipas agjencisë së lajmeve SPA, Mbreti Salman shfaqi shpresën se marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen në të gjitha nivelet. Arabia Saudite është vendi i fundit i Gjirit që uroi Bidenin, i cili është shprehur se do t’i rivlerësojë lidhjete Amerikës me këtë mbretëri.
Top Channel