Mëngjesin e djeshëm, bota e artit dhe adhuruesit e humorit të Koço Devoles e asaj çka ai përfaqësonte do t’u duhej të përballeshin me një lajm të trishtë; artisti ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare.
I prekur nga koronavirusi, Devole gjendej prej disa ditësh i shtruar në spital. Më 31 tetor ai mundi të dalë nga Infektivi, por për shkak të përkeqësimit u rikthye sërish për t’u futur në intubim. Ajo çka e rëndoi gjendjen e tij shëndetësore ishte fakti se Devole vuante nga leucemia.
Top Channel mëson se homazhet për të ndjerin (nisur nga kushtet e jashtëzakonshme të pandemisë) po kryhen aktualisht në ambientet e “Alba 2000” te Medreseja, deri nesër, para përcjelljes për në banesën e fundit. Ceremonia mortore do të mbahet të martën (ditën e nesërme), në orën 13:00, në Sharrë.
Ju kujtojmë se djali i tij, pak ditë më parë, në një lidhje direkte me emisionin e Top Channel, “Ftesë në 5” tregoi se gjendja e të atit ishte rënduar, megjithëse rezultoi negativ nga Covid-19.
“Ishte e pamundur të rrinte jashtë spitali. Gjendja u përkeqësua, ai kishte insistuar aq shumë dhe doktoresha tha që doja t’i plotësoja dëshirën edhe pse nuk ishte për të dalë jashtë. Mendoj se ishte rënduar psikologjikisht. Me të flasim çdo ditë, disa herë në ditë. Megjithatë ia plotësuam këtë dëshirë që të dilte për pak kohë, se u përkeqësua. Ishte i pafuqishëm, nuk merrte dot frymë. Donte vazhdimisht oksigjen. Me zor merrte frymë. Nuk ia bënim dot shërbimin në shtëpi”.
Fatkeqësisht, pas disa ditëve në intubim, Koço Devole ndërroi jetë.
Top Channel