Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden përshëndeti të hënën lajmin se një vaksinë kundër COVID-19 e zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech ishte 90 përqind efektive. Megjithatë Biden paralajmëroi se përpara kemi akoma një betejë të gjatë.

“Unë i përgëzoj gratë dhe burrat e shkëlqyeshëm që ndihmuan në krijimin e këtij përparimi duke na dhënë një arsye të tillë për shpresë. Në të njëjtën kohë, është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se fundi i betejës kundër COVID-19 është akoma me muaj larg”, tha Biden.

Biden foli ndërsa tregjet e aksioneve evropiane dhe çmimet e naftës u rritën pas njoftimit për përparimin e bërë në drejtim të zbulimit të vaksinës. Zhvilluesit e vaksinës – kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech – thanë se “kjo është një ditë e madhe për shkencën dhe njerëzimin”.

Vaksina e tyre është testuar në 43,500 njerëz në gjashtë vende dhe thuhet se nuk ka shqetësime për sigurinë. Kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës në fund të muajit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjithashtu e përshëndeti lajmin, duke e quajtur atë “të mrekullueshëm”. Të hënën ndërkohë Biden emëroi shkencëtarët që do të udhëheqin luftën kundër pandemisë në administratën e tij.

Grupi i Punës do të drejtohet nga tre bashkëkryesues: epidemiologu dhe ish-komisioneri i Administratës Federale të Barnave (FDA) David Kessler, ish-gjenerali kirurg, Vivek Murthy dhe profesorja e shëndetit publik në Yale, Marcella Nunez-Smith. Bordi do të ketë 10 anëtarë, duke filluar nga imunologët dhe epidemiologët, ekspertët dhe zyrtarët kryesorë të shëndetit publik.

Top Channel