Joe Biden flet për herë të parë si president: Amerikanët folën, është koha për të shëruar Amerikën!

08/11/2020 03:30

Pasi u shpall fitues, Joe Biden mbajti fjalimin e parë si president. Ai foli nga Delaware ku tha se amerikanët kanë folur dhe se ai do të jetë president i unitetit të amerikanëve.

“Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse,” tha zoti Biden përpara mbështetësve të mbledhur në një parking dhe që brohorisnin. “Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë”- tha Biden.

Më pas ai iu drejtua drejtpërdrejt mbështetësve të Presidentit Donald Trump.

“Tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Është koha të heqim dorë nga retorika e ashpër, të ulim temperaturën, të shikojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri”, tha ai. “Kjo është koha e shërimit në Amerikë.

Zoti Biden tha se populli amerikan dëshiron që demokratët dhe republikanët të bashkëpunojnë, dëshiron që “demonizimi në Amerikë” të fillojë të marrë fund. “Unë do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan sa edhe për ata që më votuan,” tha ai.

Ai u prezantua nga senatorja Kamala Harris, e cila do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane dhe e para amerikane me origjinë aziatike që shërben si zëvendëspresidente.

Presidenti Trump, i cili ishte duke luajtur golf të shtunën kur rrjetet kryesore televizive parashikuan që rivali i tij kishte fituar, akuzoi menjëherë zotin Biden se po nxitonte të paraqitej në mënyrë të padrejtë si fitues”. “Këto zgjedhje janë larg së mbaruari,” tha Trump në një deklaratë.

FOTO GALERI
3/5
Presidenti i zgjedhur Biden

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA