Presidenti, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin.
Sipas deklaratës nga Drejtoria e Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë thuhet se Erdoan dhe Putin biseduan për zhvillimet rajonale me theks të veçantë edhe marrëdhëniet turko-ruse dhe Karabakun Malor.
Erdoan-i i tha Putinit se Armenia duhet të tërhiqet nga tokat azerbajxhanase që ka pushtuar, duke vënë në dukje se kundër-ofensiva e Azerbajxhanit përballë sulmeve armene po bëhet brenda tokave të tij [Azerbajxhanit].
Gjatë telefonatës, presidenti turk theksoi më tej se Armenia duhet të bindet për t’u ulur me mendje të shëndoshë në tryezën e bisedimeve, ndërsa shtoi se përfundimi i këtij konflikti me një zgjidhje të përhershme dhe stabiliteti i rajonit është i një rëndësie thelbësore.
Më herët gjatë ditës, gjatë një kongresi provincial të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Erdoan kishte thënë se ka marrë lajme pozitive nga presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev për përparimin e forcave azerbajxhanase në konfliktin në Karabakun Malor.
Erdoani tha se po afrohet fitorja në Karabakun Malor, ku azerbajxhanasit po shënojnë suksese të shumta në çlirimin e territoreve të okupuara nga Armenia.
Menjëherë pas bisedës telefonike Erdoan-Putin, një bisedë telefonike zhvilloi edhe ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) me homologun e tij rus Sergey Lavrov.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se dy diplomatët diskutuan gjithashtu çështjen e Karabakut Malor./TRTshqip/
Top Channel