Biden gjithnjë e më afër Presidencës, kryeson në Georgia/ Trump sulmon administratën zgjedhore: Do ta mbrojmë votën

06/11/2020 11:29

Presidenti amerikan Donald Trump në një deklaratë për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë të enjten mbrëma tha se bazuar në votat e ligjshme ai i ka fituar me lehtësi zgjedhjet. Por, ai shtoi se manipulimet, fletëvotimet e dorëzuara me vonesë, fletëvotimet e paligjshme bënë që avantazhi e tij ne disa shtete të venitej.

Ai tha se përkundër parave të kompanive të mëdha teknologjike, parashikimeve të mediave dhe sondazheve për fitore të thella të demokratëve, republikanët arritën me sukses që të ruanin shumicën në senat, dhe dolën mirë në garat zgjedhore për vendet në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Ne ishim në avantazh në Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani në natën e zgjedhjeve dhe papritmas avantazhi filloi të venitej. Numërimi i votave në Detroit dhe Filadelfia po kontrollohet nga makineria e korruptuar demokrate”, tha Presidenti Trump.

Zoti Trump tha se do të ketë shumë padi gjyqësore për parregullsitë që, sipas tij, kanë ndodhur në disa shtete dhe se ato mund të përfundojnë në gjykatën më lartë të vendit. “Ne duam zgjedhje të ndershme, numërim të ndershëm. Do të ketë shumë padi gjyqësore për shkak të parregullsive dhe për shkak se ne nuk mund të kemi zgjedhje të vjedhura. Ndoshta kjo do të shqyrtohet nga gjykata më e lartë e vendit”, tha ai.

Ndërsa, Presidenti Trump po fliste në Shtëpinë e Bardhë, numërimi i votave në shtetet kyçe si Pensilvania, Xhorxhia, dhe Arizona po vazhdonte. Në Xhorxhia, me 16 vota elektorale, avantazhi i Presidentit Trump prej 9 mijë votash para deklaratës së tij në Shtëpinë e Bardhë u pakësua në vetëm 3 mijë vota. Edhe në Pensilvani, avantazhi i Presidentit Trump ra në vetëm 64 mijë vota, ndërsa sasi të mëdha votash vazhdojnë të numërohen.

Joe Biden bën thirrje për qetësi dhe durim

Kandidati demokrat për president, Joe Biden në një deklaratë për gazetarët në Uilmington të Delauerit të ejten tha se ai është njoftuar nga zyrtarët mbi zhvillimet e fundit në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe gjendjen ekonomike të vendit. Ai gjithashtu bëri thirrje për durim, qetësi dhe për numërimin e çdo vote. “Çdo votë duhet të numërohet dhe këtë do ta shohim ne tani. Kështu duhet të jetë. Demokracia nganjëherë është e ngatërruar, nganjëherë ajo kërkon durim. Por ky durim është shpërblyer për 200 vjet. Ky sistem i qeverisjes ka qenë zilia e botës”, tha ai. Zoti Biden theksoi se ai nuk ka dyshim se ai dhe senatorja Harris do të shpallen fitues të zgjedhjeve pas përfundimit të numërimit të votave.

Zgjedhjet në SHBA/ Biden merr kryesimin në Georgia

Në Georgia, Trump dhe Biden ishin në barazim, por kandidati demokrat ka kaluar me 917 vota në avantazh, raporton CNN.

Nëse Biden fiton edhe 16 votat elektorale të këtij shteti, ai do të jetë presidenti i ri i Amerikës.

Trump nuk mund të gjejë një rrugë për në 270 vota elektorale pa Georgia dhe Pennsylvania, kështu që shanset e tij për të siguruar rizgjedhjen do të varen nga zhvillimet në të dy shtetet.

Lajm në përditësim..

Top Channel