Top Albania Radio çel sezonin e ri duke filluar nga e hëna me risi dhe të papritura që kanë shtuar kuriozitetin e dëgjuesve të saj.

Pritet me padurim rikthimi i Eno Popit i cili vjen me një tjetër dilemë, jo me atë çfarë jeni mësuar ta shihni në Top Channel, por me “Dilema Sociale” në TAR. Programi më i pritur i sezonit, ku do të trajtohen tema të së përditshmes. Çdo të enjte dhe të shtunë në orën 18:00.

“Sot Nuk Është e Hënë” sepse siç thuhet dhe në promon e këtij programi, e hëna të prish dhe se si ndodh kjo, do të na e zbulojë Koloreto Cukali. Skenaristi, publicisti dhe aktivisti për herë të parë në Top Albania Radio, do të godasë fort ngjarjet më aktuale dhe protagonistët e tij.

Nëse jeni nga ata dëgjues që nuk e kaloni ditën pa një dozë të mirë humori atëherë bëhuni gati sepse për ju vjen “Ndryshe”, një program drejtuar nga Salsano Rrapi, Paloma dhe Dj Vini. Siç janë të qeshurat pjesë e ditëve tuaja po ashtu janë dhe politikanët, ndodhitë më të fundit që i komentojmë shumë por edhe ato më të çuditshmet që duket se marrin jetë vetëm në Shqipëri. Të martave në orën 18:00.

Për zogjtë e mëngjesit që e nisin ditën që pa gdhirë, duke filluar nga java e ardhshme kafen tuaj të parë do të mund ta shoqëroni me “Wake me Up”. Me muzikën më të fundit të lançuar, haberet e mëngjesit, bursa, horoskopi dhe kuriozitete të shumta do të jenë ato që do të konsumoni për një zgjim të freskët e me shumë energji. Nga e hëna në të premte në 06:00.

Nuk mund të mungonte një show dedikuar krejtësisht sportit dhe fanatikëve të tij. Tashmë të gjitha informacionet rreth ndeshjeve apo sfidave sportive do të vijnë në 60 minuta plot adrenalinë nga Denis Dyrnjaja dhe Glenti Nallbani. “PASÓ” quhet spektakli i tyre radiofonik ku nuk do të mungojnë quiz-et ku fitohen dhurata. Çdo të premte në orën 18:00.

Për ata që duan filmat vjen një program i cili sjell kinemanë në 360 gradë. Filmat e rinj, ngjarjet e fundit nga protagonistët tuaj të preferuar. Lojra për të fituar bileta, të ftuar në studio si edhe ndërveprim me shikuesit e filmave në kohë reale.

Top Albania Radio rikthen botën e çuditshme në kohët më të çudtishme që po jeton planeti ynë, kur asgjë nuk është më e çuditshme. Rubrika sjell kuriozitete dhe ndodhi të habitshme çdo mbrëmje në orën 21.00 dhe çdo të dielë në orët e paradites.

“Selected By”, një show ku protagonistë janë Dj resident të Top Albania Radios. Ata do të përcjellin tek ju mbrëmjen e së dielës muzikën më ‘inn’ por jo vetëm. Kjo, sepse fundjava meriton të mbyllet bukur, e ku ka më bukur sesa një bllok muzikor i përzgjedhur me kujdes e dashuri.

Progamet e reja nuk mbarojnë me kaq, të tjera presin të nisin në javët e ardhshme. Krahas këtyre, në Top Albania Radio do të vazhdojnë të transmetohen programet ikonë të saj të cilat gjithashtu janë pjesë e rrjedhës së ndryshimeve. “Live From Tirana” zgjerohet me një orë, nga dita e nesërme do ta dëgjoni prej orës 10:00-13:00. “1KËNGËXTY spostohet në oraret 15:00-18:00. “Lancio” vjen 20:00-21:00 ndërsa “The Top List” të shtunave me një orar të zgjeruar 10:00-13:00.

Top Channel