“Top Talk”/ Baton Haxhiu i kërkon publikisht Ilir Metës: Flit me emra, boll me nënkuptime e shantazhe

02/11/2020 17:31

Kur jemi pak muaj larg zgjedhjeve elektorale, lufta politike është zhvendosur në dy nga institucionet më të rëndësishme të vendit, kryeministria dhe presidenca.

Gjendja u agravua me miratimin e kodit zgjedhor në parlament me 96 vota. Këtë votim, presidenti e cilësoi si nul dhe kërkoi që fillimisht për miratimin e saj të pritet përgjigja e Komisionit të Venecias. Ndërkaq, Meta ka akuzuar disa herë se mazhoranca ka paguar në hesap të vet, gazetarë edhe media.

Por, analisti i njohur Baton Haxhiu tha në “Top Talk” se është koha që të mos flitet më me nënkuptime, por Meta të dalë dhe të tregtojë emra konkretë. Sipas tij, presidenti i vendit ka qenë në postet më të larta qeverisësve që mund të dhurojë një shtet, e deri më tani sipas tij nuk ka dhënë rezultate.

“E para do të isha shumë i lumtur nëse Ilir Meta flet se cili janë gazetarët që janë paguar dhe nga kush janë paguar. Cila është e kaluara politike që ka bërë lidhjen dhe pagesën politike me disa nga gazetarët. Unë besoj që zyra e presidentit nuk është zyra e mirë për të hapur këtë temë, sepse e kaluara do të merrte një ngjyrë të zezë, se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet nga viti 2001 e këtej. Është mirë nëse paguximi bëhet i guximshëm dhe thotë se po, gazetarët që kanë dalë në studio, janë paguar nga kjo parti politike. Natyrshëm që një prej atyre që do i përgjigjej publikisht jam edhe unë. Natyrshëm që do të gjeja edhe unë gjuhën për të folur për politikën, se çfarë realisht ka ndodhur në 20 vitet e fundit në Shqipëri. Por a ka guxim dikush nga politikanët për të folur për këtë hapur dhe a do të ishte ndonjëri prej tyre i paprekur me shijen e zezë së kësaj akuze, dyshoj, për të mos thënë që nuk ekziston. Ajo që mua më qetëson është të zënit vend i një gjëje që nuk të takon. Më pas, tregon pafuqinë duke u bërë i pafuqishëm në një moment dhe një zyre që nuk është e jotja, ose një zyre që keqpërdoret për faktin që është president dhe nuk është gjuha që duhet përdorur. Ka plot elemente që duhet të flasim dhe natyrshëm njeri i cili më së paku duhet të ishte me këtë sinkron të gjuhësh është presidenti”, tha Baton Haxhiu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA