Prishja e raporteve/ Uashingtoni do t’i shesë Greqisë gjuajtësit F-35 të prodhuar për Turqinë

02/11/2020 20:12

Mediat greke raportonin se SHBA do t’i shesë Athinës gjuajtësit F-35 të ndërtuar në programin e përbashkët me Turqinë, tashmë të anulluar pas prishjes së raporteve mes vendeve.

Zhvillimi vjen pas vizitës në Athinë të kohëve të fundit, të sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo.

Sipas marrëveshjes një total prej 20 gjuajtësish multi-funksionalë do të dorëzohen në Greqi, duke përfshirë dhe ato që supozohej të merrte Turqia, duke nisur me dërgesën e parë të gjashtë avionëve luftarakë. Ndërkohë Athina ka nisur të marrë tashmë dërgesat e gjuajtësve Rafale nga Franca.

Prishja e marrëveshjes së gjuajtësve F-35 mes SHBA dhe Turqisë erdhi pasi kjo e fundit vendosi të blejë sistemin mbrojtës raketor S-400 nga Rusia.

Presidenti turk Rexhep Erdogan premtoi se vendi i tij nuk do të integrojë sistemet ruse në infrastrukturën e NATO-s, por tha se ka të drejtë të blejë e të testojë çfarëdo sistemesh ushtarake që dëshiron.

Ankaraja nisi të marrë sistemet ruse në korrik 2019 dhe kjo bëri që Turqia të humbte vendin e saj në programin e gjuajtësve F-35 që SHBA kishte me vendet aleate. SHBA tha se pjesëmarrja ruse në sistemet mbrojtëse të Turqisë ndihmon inteligjencën rivale të marrë informacione të vlefshme teknike.

FOTO GALERI
1/3
SHBA perjashtoi Turqine nga programi i gjuajtesve F-35

Top Channel